Dëshmitarët tregojnë se çfarë ndodhi në kanionin e Holtës në Shqipëri ku humbi jetën një vajzë

15.07.2019 00:00:33

Dëshmitarët kanë treguar tmerrin që përjetuan.

Një turist tregoi tmerrin që përjetoi dhe si arriti që të shpëtonte vetë dhe njërin nga katër fëmijët nga rrjedha e lumit të Holtës që e mori përpara së bashku me shumë persona të tjerë që ishin brenda në kanion.

‘Ne kemi shpëtuar njëri tjetrin. Na i sillte rryma njëri tjetrin nëpër duar, aq e fortë ishte. Vajzën e pamë që e mori uji, por ishim shumë larg dhe nuk bënim dot asgjë.

Fëmijën që shpëtova ma solli dallga e ujit në duar. Ai ishte me të atin, të cilit i shpëtoi nga duart si pasojë e ujit të rrëmbyeshëm dhe ma solli mua në duar”, tha ai.

Banorët e Holtës kanë treguar ngjarjen e sotme brenda kanionit që i mori jetën 25-vjeçares dhe rrezikoi shumë turistë të tjerë.

“Ishin shumë persona në kanion, të tjerët dolën… Kjo që ndodhi është hera e parë. Nuk ka njeri që ti udhëzojë turistët, vetëm ajo që u themi ne” tha njëri prej tyre për Report Tv.

Ndërsa një tjetër banor theksoi se ngjarja ndodhi si pasojë e shirave të menjëhershëm.

“Turistët u futën por s’e kuptuan rrjedhjen e lumit. U mobilizuan të gjithë, por uji ishte i menjëhershëm dhe vajza nuk shpëtoi. Kjo njihet si zonë me prurje të menjëhershme, aq më tepër verës. Se kuptoj si nuk e kuptuan njerëzit brenda zhurmën e ujit”, tha ai.

Ndërkohë është identifikuar 25-vjeçarja që humbi jetën pasditen e sotme në Kanionet e Holtës në Gramsh.

Bëhet fjalë për shtetasen Desantila Sallaku nga Lushnja, e cila u gjet e pajetë dhe dyshohet të jetë marrë nga rrjedha e ujit.