Dëshmitari: Djali na la letra kur shkoi në Siri

Dëshmitari: Djali na la letra kur shkoi në Siri

29.09.2017 00:16:06

Dy dëshmitarë në gjykimin e imamëve thanë se të afërmit e tyre që shkuan në Siri mësuan Kuran e dëgjuan ligjërata të Idriz Bilibanit.

Në gjykimin e katër imamëve dhe Fuad Ramiqit për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë, dëshmuan Bahri Kovaçi e Veton Krusha.

Veton Krusha është vëllai i Hamdi Krushës, të vrarit në Siri, ndërsa Bahri Kovaçi është babai i Qëndrim Kovaçit, njërit prej shqiptarëve të Kosovës që po lufton në shtetin e përfshirë nga lufta civile.

Bahri Kovaçi në gjykatë tha se djali i tij Qëndrim Kovaçi kishte mësuar Kuran te hoxha i akuzuar Idriz Bilibani, ndërsa ishte praktikues i fesë islame që nga mosha nëntëvjeçare.

Hajrip Krasniqi, avokati i Idriz Bilibanit e pyeti dëshmitarin Kovaçi se a ka ndikuar i mbrojturi i tij që djali i Kovaçit të shkojë në Siri.

“Një gjë të tillë nuk e di dhe nuk dëshiroj të hyj në gjynah me askënd”, u përgjigj dëshmitari.

Megjithatë, dëshmitari Kovaçi tregoi se kishte shkuar edhe te imami Bilibani për të shikuar se mos e kishte aty djalin, në kohën kur e kuptoi se i biri i tij ishte nisur për Siri, transmeton kallxo.com

Prokurori special Haki Gecaj e ballafaqoi dëshmitarin me një deklaratë të tij të dhënë më herët.

Sipas asaj deklarate, Kovaçi kishte thënë se menjëherë pasi e kishte kuptuar se djali i tij ishte nisur për Siri, kishte shkuar te mezhda e Idriz Bilibanit duke kërkuar llogari prej tij për këtë gjë.

Në deklaratë, Kovaçi kishte treguar se hoxha i kishte thënë që nuk ka dorë në këtë punë, por dëshmitari vetë kishte deklaruar se nuk i besonte hoxhës.

Por sot në gjykatë Bahri Kovaçi tha se ka qenë i stresuar dhe shokuar nga shkuarja e djalit të tij në Siri dhe atëherë në polici ka mundur të thotë edhe gjëra që nuk kanë qenë ashtu.

Por edhe Veton Krusha, vëllai i Hamdi Krushës, të vrarit në Siri, tregoi se vëllai i tij kishte ndjekur kohë pas kohe ligjërata të imamit Idriz Bilibani.

I akuzuari Bilibani e pyeti dëshmitarin Krusha se a kishte njohuri se në çfarë gjuhe ligjëronte ai si imam dhe a e dinte vëllai i tij tash i vrarë gjuhën serbe apo boshnjake.

Veton Krusha u përgjigj se vëllai i tij nuk e dinte as gjuhën boshnjake e as atë serbe dhe se nga ajo që kishte parë në internet e di që hoxhë Idriz Bilibani ligjëratat i mban në gjuhën boshnjake.

Më tutje Krusha deklaroi se nuk e kishte parë ndonjëherë vëllain e tij të shoqërohej me Bilibanin, ndërsa tregoi se vetëm një vit e gjysmë para se të shkonte në Siri, Hamdi Krusha kishte filluar të predikonte për fe.

Më pas dëshmitarët treguan si e morën vesh shkuarjen në Siri të Qëndrim Kovaçit dhe vdekjen atje të Hamdi Krushës.

Bahri Kovaçi që bëri të ditur se e ka një dyqan në katin përdhes të shtëpisë, tha se aty djali i tij Qëndrimi i kishte lënë disa letra ku kishte treguar se po shkonte në vendin e përfshirë nga lufta.

“Atë ditë që ne kemi marrë vesh se Qëndrimi ka shkuar në Siri e kemi kuptuar përmes letrave që na kishte lënë në dugojë e cila është punëtori e rrobaqepësisë në shtëpinë time, ngase lokali është përdhes, kurse ne banojmë ne katet e larta”, tha dëshmitari Kovaçi.

Ky dëshmitar tregoi se disa herë e ka lutur djalin e tij që të kthehet nga Siria, por ka marrë përgjigje prej tij se po të kthehej do të burgosej menjëherë.

Qëndrim Kovaçi, sipas babait të tij, ka kërkuar që edhe pjesa tjetër e familjes t’i bashkohen në Siri.

Ndërsa Veton Krusha tregoi se për vdekjen në Siri të vëllait të tij Hamdi Krushës kishte marrë vesh nga lajmet në interenet dhe nga Qëndrim Kovaçi, shoku i ngushtë i të ndjerit.

Sipas prokurorisë, në këtë proces gjyqësor të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Enes Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Ndërsa Fuad Ramiqi akuzohet për thirrje për rezistencë.