Dëshmitari tregon pse e ktheu pacientin izraelit nga QKUK sërish në ‘Medicus’

22.11.2017 20:38:21

Dëshmitari i radhës në gjykimin që po zhvillohet për Rastin “Medicus”, ishte Zef Komani ish-kryeinspektor i Shëndetësisë.

Komani me fillim të dëshmisë së tij tha se qëndron pranë deklaratave të tij të dhëna më herët për shkak se tashmë ka kaluar një kohë mjaft e gjatë dhe mund të mos i kujtohen shumë gjëra, të cilat atëherë i kishte pasur më të qarta.

Dëshmitari nga avokati Valon Hasani u pyet nëse i kujtohej kur policia kishte bastisur klinikën “Medicus” me 4 Nëntor 2008, dhe se në atë kohë kishte qenë një pacient nga Izraeli i vendosur në spital, i cili pastaj ishte zhvendosur në QKUK për t’u kthyer më vonë prapë në “Medicus”.

Pasi që dëshmitari tha se i kujtohej kjo pjesë, atëherë avokati Hasani i tregoi dëshmitarit një dokument që mbante datën 12 Maj 2008, që kishte qenë i bashkangjitur në një email të cilën Zef Komani ia kishte dërguar ministrit të Shëndetësisë Alush Gashit dhe shtatë personave të tjerë.

Në këtë email dëshmitari i ishte drejtuar ministrit për ta informuar se kishin vendosur që pacienti nga Izraeli të kthehej përsëri në klinikën “Medicus” për shkak të sigurisë shëndetësore të pacientit dhe duke u bazuar në një dokument të lëshuar dhe nënshkruar nga Ilir Rrecaj, i cili shërbente si konfirmim i licencës së klinikës “Medicus”.

Në lidhje me këtë email, dëshmitari tha se i kujtohej që e kishte dërguar dhe këtë e kishte bërë nga ana njerëzore sepse ai nuk kishte mundur ta linte pacientin në një institucioni si QKUK-ja që nuk kishte qenë në gjendje t’i ofrojë kujdes shëndetësor pacientit.

Më pas dëshmitarit avokati i prezantoi edhe një dokument tjetër për të cilin e pyeti nëse e kishte përdorur si bazë ligjore për ta kthyer pacientin në klinikën “Medicus”, gjë të cilën dëshmitari e konfirmoi.

Tutje avokati dëshmitarit i prezantoi dokumentin tjetër, i cili mbante datën 6 Nëntor 2008, të cilin dokument e kishte përpiluar vetë dëshmitari me anë të të cilit kishte deklaruar se licencimi është fokusuar në dëshminë për licencim të institucionit privat, me anë të të cilit ishte vërtetuar se klinika “Medicus” ishte institucion privat i licencuar për kryerjen e shërbimeve kirurgjike.

Këtë dokument dëshmitari e konfirmoi se e kishte përpiluar vetë, dhe më tutje ai shpjegoi se një ndër detyrat e tyre kanë qenë edhe të kontrollojnë licencimin e profesionisteve shëndetësorë.

Pas kësaj avokati Hasani dëshmitarit i paraqiti edhe dy dokumente të tjera për të cilat i kërkoi të shpjegonte se me çfarë kishin të bënin.

Për dokumentin e parë dëshmitari Komani tha se nuk mund të deklarohej për shkak se ai nuk ishte i protokolluar ndërsa për të dytin tha se kishte të bënte me licencimin e dy profesionistëve të huaj shëndetësorë.

“Nëse juve në cilësinë e kryeinspektorit shëndetësor do ju ishin prezantuar këto dy dokumente, çfarë përfundime do të arrinit në lidhje me këta dy profesionistë të huaj shëndetësorë? A kanë pasur të drejtë që të ushtrojnë profesionin në Republikën e Kosovës?”, pyeti avokati.

“Unë si kryeinspektor detyra e parë që duhet ta bëj pas një inspektimi për institucionin dhe profesionistët shëndetësorë është t’u besoj dokumenteve të nënshkruara nga ministri aktual kushdo qoftë” u përgjigj dëshmitari.

E  më pas avokati Hasani e pyeti dëshmitarin nëse bazuar në dokumentin i cili vërteton se klinika “Medicus” ka qenë e licencuar për kardiokirurgji dhe po ashtu edhe dokumentin tjetër i cili dëshmon se dy profesionistë të huaj shëndetësorë ishin të licencuar që të punonin në Kosovë, a kishte ndonjë problem nga pikëpamja ligjore që këta dy profesionistë të huaj të punonin në klinikën “Medicus”.

Gjë për të cilën dëshmitari tha se duke iu referuar dokumenteve që i ka përpara, profesionistët kishin plotësisht të drejtë për të punuar në “Medicus”.

Pas kësaj edhe prokurorja i tregoi dëshmitarit dy dokumente, njëri që mbante datën 6 Nëntor në të cilin Bordi në bazë të vlerësimit të bërë nga komisioni kishte konstatuar se institucioni i plotëson kushtet për licencim dhe kishte lëshuar licencën për kardiokirurgji, kurse në dokumentin e datës 12 Maj 2008 i nënshkruar nga Ilir Rrecaj i cili ishte konfirmim i aprovimit për licencë të shërbimeve urologjike, thuhej se klinika “Medicus” nuk e ka autoritetin e licencës dhe për këtë arsye është i jashtëligjshëm.

“A do të vinit në përfundim se klinika “Medicus” ka qenë e licencuar për kardiokirurgji dhe jo për shërbime urologjike”, e pyeti prokurorja dëshmitarin.

“Në bazë të kësaj është e vërtetë, por në një pikë tjetër shkruan se klinika” Medicus” ka aplikuar për shërbime urologjike”, u përgjigj dëshmitari.

Në fund prokurorja e pyeti dëshmitarit se nëse një institucion si “Medicus” i licencuar për kardiokirurgji a do të kishte të drejtë që të kryente edhe shërbime të tjera si për shembull neurologjike.

Ndërsa dëshmitari tha jo sepse nuk është e njëjta gjë.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Seanca e radhës do të mbahet nesër ku si dëshmitar pritet të dëshmojë eksperti Milazim Tahirukaj.