DËSHTIMI I IDESË SË SOCIALIZMIT RADIKAL NË SHBA DHE NË BRITANI TË MADHE

08.04.2020 17:55:55
Opinion nga Muhamet Hamiti:
Mësimet nga dështimet e Sandersit dhe Corbynit
Bernie Sanders ka dalë sot nga gara për të fituar nominimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor. Joe Biden, ish-nënpresident amerikan, mbetet tashmë praktikisht kandidati demokrat që do ta sfidojë presidentin aktual Donald Trump.
Bernie Sanders vetëdeklarohej socialist demokrat; përkrahësit e tij e shihnin si politikan progresist. Megjithatë, nga shumica e njerëzve në SHBA shihej si një radikal socialist.
Po kështu, Jeremy Corbyn, lideri i Partisë Laburiste në Britani në këto katër vjet e gjysmë, e quante veten socialist demokrat. Në vendin e tij shihej madje edhe si komunist.
Në ambientin amerikan, në gjendjen aktuale të një shoqërie fort të polarizuar, emërtimi ‘socialist’ është gati poaq i damkosur sa që është emërtimi ‘komunist’ në Evropë.
Shumë njohës të zhvillimeve në SHBA kanë shprehur me kohë drojën se po të fitonte garën për nominim Bernie Sanders, demokratët e kishin të humbur garën për President me Trumpin.
Se kush do të fitojë në garën Trump – Biden është vështirë të thuhet tani. Përballja e Administratës amerikane me pandeminë koronavirus mund të jetë përcaktuese për rezultatin e kësaj gare. Nëse del të jetë relativisht e suksesshme, Trumpi fiton. Nëse jo, gjasat i ka Bideni. Gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë kohë e gjatë për të dyja kampet kundërshtare në garë.
Partia Laburiste në Britani të Madhe ka tashmë një lider të ri, Keir Starmer, i cili do të ketë punë për të sanuar dëmet që i ka bërë kësaj partie ish-lideri Corbyn. Njëra nga to luftimi i antisemitizmit që kishte kapluar Partinë Laburiste. Gjithësesi edhe rishikimi i politikave sociale dhe ekonomike për ta kthyer këtë parti në garë për t’u bërë parti e qeverisjes mbas humbjes më të rëndë të kësaj partie në zgjedhjet nacionale në Britani në tetëdhjetë vjetët e fundit. Partia Konservatore e Boris Johnsonit duket se zgjedhjet e ardhshme i ka të fituara.
Rënia e Sandersit dhe e Corbynit shënon dështimin e idesë së socializmit radikal në SHBA dhe në Britani të Madhe