Dështon “misioni” i Konjufcës e Ahmetit, asgjë konkrete për pajtim në Vetëvendosje

28.01.2018 15:48:18

Në mbledhjen e kryesisë së Vetëvendosjes që u mbajt më 15 janar të këtij viti, Shpend Ahmetit e Glauk Konjufcës iu caktua si detyrë, hartimi i një marrëveshje për pajtim eventual ndërmjet dy krahëve në këtë parti.

Kur po bëhen gati dy javë, Konjufca e Ahmeti ende nuk kanë dalur me diçka konkrete për ta përmirësuar gjendjen në VV.

Kjo sidomos pas paraqitjeve televizive të Dardan Molliqajt e Albin Kurtit, të cilat mund të thuhet se vetëm e thelluan krizën në këtë parti.

Deputeti i Vetëvendosje, Ali Lajqi ka konfirmuar për lajmi.net se deri më tani nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të propozuar për pajtim në parti.

“Nuk kam shumë çasje aty, por në mbledhjen që e kemi mbajtur të përbashkët ka pasur kontakte, ata të dy nuk kanë dalur me diçka konkrete ende, tash të shohim çka si qysh”, ka thënë Lajqi.

I pyetur për krijimin eventual të një partie të re nga pala e të dorëhequrve, Lajqi ka theksuar se kjo do të merret vesh për pak kohë, por që sipas tij nuk ka arsye për krijimin e një subjekti të ri politik.

“Donë edhe pak kohë ka mendime të kundërta dhe kjo është demokraci që tash prej brenda ka dalur në opinion. Besoj që nuk kanë ndonjë arsye për projekte të reja për me pas ndarje. Ish dasht që të mos ketë ndarje nëse ata kanë vullnet, pasi nuk do të kishte ndonjë program të ri partia. Ata njerëz janë të fortë politikisht dhe të vetdijshëm, dhe nevoja për ndryshime në Kosovë është e madhe”, thotë tutje deputeti i Vetëvendosjes.

Lajqi ka edhe pak fije shpresë që nuk do të ketë ndarje.

Sipas tij kjo vetëm do të shkaktonte dëm në Kosovë, pasi siç thotë Lajqi “tjerat parti janë degraduese për vendin”

Ata do të bënin dëm të madh. Të gjithë duhet të rrijnë në këtë projekt dhe të bëjnë ndryshim në Kosovë, pasi tjerat parti janë degraduese për vendin”, ka përfunduar deputeti i VV-së, Ali Lajqi.

Ndryshe gjatë javës që po lëmë pas, Dardan Molliqaj në një emision televiziv kishte thënë se gjasat për pajtim janë 1 për qind.

Sipas tij kjo pasi nuk ka interesim që të ketë diskutime për ndonjë marrëveshje eventuale.

Molliqaj gjithashtu nuk e kishte përjashtuar mundësinë e krijimit të një partie të re, pasi ka mohuar se do të bashkohej me ndonjë prej subjekteve që janë aktualisht në vend.

Ndërkaç, deri më tani nga partia e Albin Kurtit ka dhënë dorëheqje nga pozitat drejtuese mbi 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës.