Detaje nga vrasja e policit shqiptar, autori rrëfen arsyen e sulmit me armë

03.09.2016 14:22:10

“Dyshoja se po më qëllonin nga shpati i malit, ndaj u përgjigja me armë”. Kështu mësohet të ketë thënë para oficerëve të prokurorisë, David Qosja, autori i vrasjes së policit të FNSH-së, dje në Torivicë të Lezhës.

Sipas prokurorisë, përcjellin mediat shqiptare, 27-vjeçari ka qëlluar me kallashnikov drejt efektivit Ardian Kodra, ndërsa plumbi e ka prekur në sqetullën e majtë, duke i shkaktuar atij vdekjen.

Po sipas organit të akuzës, Qosja rezulton të jetë person me çrregullime mendore, ndërsa konfirmohet se ai jetonte i vetëm. Nga ana tjetër Prokuroria bën të ditur se në banesën e autorit u gjet edhe një përmendore, e cila i përkiste vëllait të tij të vdekur.

Ndonëse Qosja pretendoi se e kishin qëlluar me armë nga shpati i malit, policia krehu zonën, ndërsa verifikoi se askush nuk kishte shtënë.

Ngjarja

Rreth orës 12:00, banorët e fshatit Torovicë kanë njoftuar policinë e Lezhës, se një i sëmurë mendor po qëllonte me armë në ajër dhe se ndiheshin të rrezikuar me jetë.

Sipas banorëve, David Qosja ka qëlluar edhe në drejtim të malit, ku nga të shtënat kishte krijuar një vatër zjarri.

Pas denoncimit (rreth orës 13:30), forca të shumta të policisë së Lezhës kanë mbërritur në fshatin në fjalë dhe kanë nisur aksionin për kapjen e 27-vjeçarit.

Ky i fundit, sapo ka vënë re praninë e uniformave blu, ka hyrë në banesën e tij, ku ka vazhduar të qëllojë me armë zjarri nga dritaret.

Nisur nga rezistenca e të riut, mosbindja e tij për t’u dorëzuar si dhe shkalla e lartë e rrezikshmërisë, policia e Lezhës ka kërkuar ndihmën e FNSH-së së Shkodrës. Vetëm pas 5 orësh u bë e mundur arrestimi i tij nga Forcat Speciale, RENEA.