Detaje për vrasjen e 54-vjeçarit në Fushë Kosovë: Familjarët thonë se Behrami edhe më herët ishte sulmuar nga hajnat

05.08.2018 15:10:15

Kishte 20 vite që punonte si rojë në një kompani private të Fushë Kosovës. Behram Ibishi disa herë përgjatë këtyre viteve punë ishte përballur me hajnat. Por ballafaqimi i fundit me ta doli të jetë fatal.

Në vendin ku ai punonte, persona të maskuar mbrëmë e gjuajtën me armë zjarri duke e qëlluar kështu me një plumb në pjesën mes zemrës dhe mushkërive.

Aty ku frymon ajri i pastër, e je afër qendrës – Dukagjini Apartments, zgjidhje për tërë jetën

54-vjeçari, pavarësisht plagëve të marra kishte arritur që ta thërras policinë. “Më kanë gjuajt, jam plagosë”, u kishte thënë policisë përmes telefonit. Ende nuk janë zbuluar vrasësit e punëtorit, shkruan Gazeta Express.

Policia e Kosovës i ka nisur hetimet. Thonë se nuk i dinë ende arsyet e kësaj vrasjeje.

“…Një person B.I., 54 vjeç, nga persona të dyshuar është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti pas transportimit ne QKUK ka ndërruar jetë. Trupi i pajetë i viktimë me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Familjarët e viktimës kanë shpjeguar rreth lajmit për vrasjen e 54-vjeçarit.

Familja kishte hapur të pamën dhe po priste persona të shumtë për ngushëllime. Vëllai i viktimës, tha se ky nuk është sulmi i parë i cili po i bëhet vëllait të tij në vendin e punës.

Duke mos e ditur arsyen e vrasjes të së vëllait, ai thotë se edhe disa herë të tjera Behrami në vendin e njëjtë të punës është ballafaquar me hajnat.

Aty ku frymon ajri i pastër, e je afër qendrës – Dukagjini Apartments, zgjidhje për tërë jetën

“Lajmin për vdekjen e kemi marrë mbrëmë rreth orës 03:00. Ka punu rojë në objektin e ‘Lesnës’ që 20 vite. Na nuk e dimë rastin se qysh ka ndodhë. Ne e dimë se këtu e kemi përcjellë kur ka shku në punë në orës 16:00, Probleme nuk kemi pas e as nuk kemi si familje me askënd”, rrëfen për rastin vëllai i viktimës i cili thotë se do të kërkojnë drejtësi në organet përgjegjëse.

Në kompaninë ku kishte punuar Behrami, kolegët e kanë përshkruar atë si njeri punëtor dhe jo problematik. Thonë se që 20 vite disa herë ishte ballafaquar me tentim vjedhje të ndryshme nga persona të panjohur.

“Ka qenë njeri i urtë dhe shumë punëtor. Asnjëherë, kurrë problem më askënd nuk ka pas. Të gjithë i ka respektu. Po që mbrëmë i qëlloi fati i keq”, thotë njëri nga kolegët e tashmë të ndjerit. Ata deklarojnë se gjatë punës në kompaninë private edhe vet disa herë janë sulmuar nga hajnat.

Varrimi i 54 vjeçarit, Behram Ibishi do të bëhet sot në orët e pasdites. Ai ishte i martuar dhe la pas 5 fëmijë, një djalë e 4 vajza.

Në vendin e tij të punës po ashtu para disa ditëve është vrarë me armë zjarri dhe një rojë tjetër i një marketi në Krushë të Vogël të komunës së Prizrenit.