“Deti”, Rama një orë takim me Metën në Presidencë

08.03.2018 11:50:14

Ka zgjatur rreth një orë takimi mes Kryeministri Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta në ambientet e Presidencës, ku sipas burimeve është diskutuar për marrëveshjen e detit me Greqinë.

Kreu i shtetit nuk ka dhënë  akoma një autorizim për qeverinë për të vijuar negociatat me Greqinë për “Detin”, ku mes të tjerash ka kërkuar më shumë transparencë se cilët do të jenë negociatorët.

Presidenti i Republikës ka kërkuar nga Ministria e Jashtme informacione tjera të hollësishme që nisin me saktësimin e titullit, paraqitjen e një analize të brendshme tekniko-ligjore dhe plotësimin kuadrit legjislativ nëse ka mangësi. Po ashtu kërkohet që grupi të mos ulet në negociata pa hartat e duhura dhe dokumentacionin mbështetës.

Më 2 mars, Meta priti në Presidencë të gjithë anëtarët e Komisionit të Jashtëm, të cilët dolën prej andej me një mendje. Të gjithë i dhanë te drejtë këmbënguljes së Presidencës ndaj Ministrisë së Jashtme.

Socialistët dhe opozita në Komisionin e Jashtëm morën nga kreu i shtetit sqarimet që donin për komunikimin mes dy institucioneve, sa i përket përgatitjes për të hyrë në negociata me Greqinë.

Veç verifikimit të grupit negociator, mbështesin edhe përfshirjen e ekspertëve tjerë.

“Ramë të gjithë dakord që qëndrimi i presidentit është qëndrimi korrekt”, tha Edi Paloka, anëtar i komisionit të jashtëm, PD.

“Ndamë të njëjtin opinion me presidentin lidhur me nevojën dhe domsdoshmërinë absolute që kjo marrëveshje të mos dështojë”, u shpreh Mimi Kodheli, kryetare e komisionit të jashtëm, PS.

Po ashtu, Meta pati deklaruar se do të respektojë Kushtetutën dhe do t’i përmbahet edhe vendimit final që mund të japë Gjykata Kushtetuese për këtë çështje.