“Deti”, teknicienët takohen në Tiranë, MEPJ: Klimë bashkëpunuese

30.04.2018 20:37:01

Pa shumë bujë e zhurmë, në Tiranë u zhvillua këtë të hënë raundi i parë i bisedimeve teknike mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e kufirit detar.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton përmes një deklarate të shkurtër se bisedimet u zhvilluan “në një klimë konstruktive dhe bashkëpunuese”.

Mbajtja e këtij raundi të parë në Tiranë ishte paralajmëruar nga ministri Ditmir Bushati javën e kaluar.

“Ka pasur vonesa për shkak të situatës së brendshme dhe për shkak të nevojës për një rakordim më të mirë nga ana jonë. Javën tjetër do të jetë raundi i negociatave në nivel të ekspertëve shqiptarë dhe grekë sa i përket marrëveshjes, apo tekstit për një marrëveshje për kufizimin e zonave detare. Ndërkohë, puna po vazhdon në të gjitha frontet e tjera. Mendoj se i gjithë procesi i bisedimeve për të gjithë temat që janë në bisedime me Greqinë është futur në hullitë e normalitetit dhe besoj se do të kemi mundësinë që të ecim përpara në adresimin e këtyre temave”, deklaroi ai për Zërin e Amerikës.