Dhjetë vjet pas shkuarjes në amshim të profesorit Zekeria Cana Profesor Z. Cana – historian, humanist dhe atdhetar i madh i çështjes kombëtare

10.01.2019 23:55:22

Jusuf M. Bytyçi

Në Prishtinë, pikërisht më 10 janar 2009, dhjetë vjet më parë, ndërroi jetë dr. Zekeria Cana, një nga historianët më të shquar dhe veprimtar i njohur i çështjeve shqiptare. Ai pati ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare. Prof. dr. Z. Cana u shqua si studiues shkencor, sidomos i zhvillimeve historike të Shekullit të XX. Gjatë viteve të 90-ta, ai ishte një nga përfaqësuesit e përpjekjeve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë. Prof. dr. Zekeria Cana ishte këshilltar shkencor i Institutit Albanologjik – Dega e Historisë. Ai punoi mbi dyzet vjet në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku ishte ndër rithemeluesit e parë të këtij institucioni të lartë shkencor, i cili me punën e vet të pandërprerë shkencore, i dha shpirt e zemër, gjak e gjallëri dhe e afirmoi këtë institucion në rrafshin e historisë sonë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare. Profesor Zekeria Cana, u bë shembull se si punohet në fushën e historiografisë sonë kombëtare, në veçanti. Historiani Zekeria Cana, i lindur më 15 mars të vitit 1934 në Gjakovë, ishte njëri nga personalitetet më të shquara në lëminë e shkencës së historisë dhe historiografisë kombëtare shqiptare. Ai si shkencëtar, si historian dhe shpesh si analist i ngjarjeve të kohës që jetonte, përdorte në shkrimet e tija metodologjinë bashkëkohore shkencore si burimet historike, ato materiale, të shkruara dhe gojore. Gjithashtu në librat e shkruar nga profesor Cana, vërehet se ai kishte një dije të gjerë dhe i shfrytëzonte shumë mirë të gjitha shkencat themelore ndihmëse të historisë dhe mu për këtë arsye, librat e profesorit sot shfrytëzohen për literaturë nga shumë studiues, si burime të vlefshme. Është bashkautor dhe shpërndarës kryesor i Apelit të 215 intelektualëve shqiptarë më 1989. Jeta intelektuale dhe veprimtaria humanitare-kombëtare e profesor Zekeria Canës, e ngrisin atë në elitën e kombit shqiptar, si njeri më virtyte të larta, i gatshëm për sakrificë, që veçohej për një guxim të jashtëzakonshëm në shërbim të lirisë së Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë. Ai gjithmonë bënte thirrje për pajtim dhe bashkim kombëtar dhe sidomos në vitet 90-ta të fundshekullit (XX). Ishte ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), më 23 dhjetor 1989, me ç’rast kryetar i LDK-së u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova, po ashtu nënshkrues i Apelit të 215-shit! Aktivitetin e tij të madh, profesor Zekeria Cana e zhvilloi si sekretar i KMDLNJ-së, ndërsa kryetar ishte akademik Idriz Ajeti. Në këtë aspekt, Z.Cana luftoi vazhdimisht për liri e pavarësi të popullit të vet, demaskoi dhunën dhe terrorin shtetëror, e gjenocidal të Serbisë, si pushtues. Ai gjithmonë u gjend në radhët e para të demonstruesve, studentëve e të tjerë të rinj, duke venë në kokë plisin e bardhë, simbol i qëndresës dhe autoktonisë shqiptare. Krahas punës kërkimore-shkencore bëri aktivitete të ngjeshura edhe në rrafshin shoqëror, politik dhe humanitar. Në vitet 90-ta, në Kosovë ndodhën shumë demonstrata për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ku u vranë, u plagosën dhe torturuan e arrestuan shumë të rinj, për të cilët profesor Cana kishte shumë simpati. Ai gjithnjë solodarizohej me qëndrimin dhe kërkesat e tyre. Për këso ngjarje, profesor Cana njoftonte opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar me qëllim të sensibilizimit të çështjes së Kosovës, dhe së dyti, përmes vizitave në familje, iu shprehte ngushëllime familjeve të të rënëve, shtëpi më shtëpi. Po ashtu, profesor Cana ndjente një dhembje të madhe për ushtarët shqiptarë që i vranin në ish-APJ, e që ato vite vinin të mbyllur në arkivolin e tmerrit. Ishte i pari që ngriti zërin me vendosmëri e guxim kundër vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në ish-Armatën Jugosllave, e trimëroi popullin që me tubimet e mëdha mortore të shprehnin revoltën dhe urrejtjen kundër okupatorit shekullor serbosllav, e njëherësh u solidarizua me familjet e ish-usharëve të vrarë. Me këtë rast, Dr. Z. Cana, alarmonte Botën demokratike se si armata jugosllave, ishte e vetmja ushtri në botë, që i vriste ushtarët e vet, vetëm se ata ishin shqiptarë. Gjatë lëvizjes së pajtimit të gjaqeve, profesor Cana ishte krah i djathtë i profesor Anton Çettës dhe i rinisë së Kosovës. Zëri dhe thirrja e tij, me një fjalor oratorie dhe me mesazhe uniteti e për bashkim kombëtar, jehoi kumbueshëm e thellë nëpër të gjitha aktivitetet dhe kuvendet e pajtimeve në të gjitha trojet shqiptare. Ai, krahas profesor Antonit dhe intelektualëve tjerë shqiptarë, arritën të pajtojnë shqiptarët edhe në diasporë, në Evropë e Amerikë dhe kontribuoi në unifikimin e qëndrimeve të unitetit kombëtar. Lufta e fundit në Kosovë, 1998-99, profesor Zekeria Canën më shumë e gjen në terren, sesa në Prishtinë. Ai ishte aty ku zhvilloheshin luftimet, si në Zonën e Dukagjinit, atë të Drenicës (në Prekaz), ku mori pjesë direkt edhe në ceremoninë lamtumirëse, të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari e familjes Jashari, rënë më 6 mars 1998), pastaj në në Llap e Gollap, si dhe në Zonat tjera, duke i frymëzuar ushtarët e UÇK-së, për një moral të madh atdhetarie dhe duke i këshilluar për një luftë unike, të përbashkët kundër pushtuesit serbosllav. Për këto veprime të profesor Canës gjatë luftës, pati shkruar në një gazetë, studiuesi Dr. Mehmet Halimi, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Akademiku Halimi, profesor Zekeria Canën e cilësonte, si intelektualin më të guximshëm të Prishtinës, i cili, frikën e kishte vrarë, me kohë, me qëllim që t’i dalë zot, vendit. Prof. dr. Zekeria Cana ndau fatin me popullin e vet edhe gjatë bombardimit të NATO-s kundër pozicioneve ushtarako-policore e paraushtarake të Serbisë dhe dëbimit masiv të popullatës shqiptare nga vatrat stërgjyshore në Kosovë. Ai e priti çlirimin e Kosovës në shtëpinë e vet në Prishtinë. Pas çlirimit iu rikthye punës së vet shkencore në Institutin Albanologjik, sepse ai nuk pyeti se ç‘bën atdheu për të, por bëri atë që mundi për popullin e atdheun e vet, duke mos kërkuar as shpërblime as dekorata. Shpërblimet dhe mirënjohjet, ai i mirëpriste nga populli, me të cilin veproi dhe bashkëpunoi, për të drejta, liritë dhe pavarësinë e shqiptarëve. Angazhimet dhe të bëmat e devotshme të profesor Canës, janë padyshim gurthemel i fortë në Pavarësinë e Kosovës dhe një mësim i mirë për intelektualët, që krahas ngritjes në shkencë dhe kulturë kombëtare, të shperehin gatishmërinë dhe vetëmohimin për popullin dhe atdheun etyre. Duke pasur parasysh këtë kontribut të madh, familja e profesor Zekeria Canës, le të jetë përherë krenarë për kolosin që e patën. Ndërsa për popullin shqiptar, profesor Dr. Zekeria Cana do të mbetet i paharruar, një figurë e dinjitetshme e atdhetarizmës, sepse, ai vet i la gjurmët në historiografinë kombëtare shqiptare, si një shkencëtar i famshëm, i cili meritonte të zgjidhej edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ai do të kujtohet, si veprimtar e patriot, si këshilltar i mirë dhe i drejtë, si pajtimtar dhe i respektuar për të gjithë. Edhe unë, si dhe miku im, veprimtari Cen Desku, ndihemi krenarë, që patëm fatin që në vitet 90-ta, vitet e pajtimeve, edhe gjatë e pas luftës për liri, të bashkëveprojmë me profesorin e nderuar Zekeria Cana! Në dhjetëvjetorin e vdekjes së profesorit Zekeria Cana, në Institutin Albanologjik të Prishtinës u organizua tryezë shkencore kushtuar jetës dhe veprës shkencore të tij. Pos studiuesve nga Sesioni i Historisë, dhe familjarëve të professor Z. Canës, morën pjesë edhe akademikë e personalitete nga ASHA, IHK etj. Në kumtesat e prezantuara në tryezën shkekcore, u tha se Zekeria Cana ishte kolos i historiografisë shqiptare. Legjenda: Portret Z. Cana, si dhe gjatë takimeve me të