Janë shtatëdhjetë mësimdhënës të komunës së Prizrenit me diploma të shkollës së mesme. Madje këtë shqetësim tashmë hapur e ka paraqit njëri nga kolegët e tyre, kuvendari i AAK-së Bujar Nerjovaj.
Në shkollat e komunës së Prizrenit ka kuadro edhe me shkollë të mesme që po u japin dije nxënësve. Madje, kjo nuk po i pengon 70 mësimdhënësit e Prizrenit që t’ua lëshojnë vendin e punës atyre që edhe e meritojnë.
Drejtori komunal i arsimit, Zahadin Shemsidini thotë se është i njoftuar me gjendjen, por tregon se është e trashëguar me vite. Megjithatë, Shemsidini mendon se këto kuadro duhet zëvendësuar me të tjerë të kualifikuar.
E këtë gjendje në arsimin e Prizrenit po e konsideron alarmante njëri nga mësimdhënësit e komunës, Bujar Nerjovaj njëherësh kuvendar i AAK-së.
Ai shifrat tashmë i ka bërë publike dhe tregon se i ka siguruar nga partia në pushtet, PDK.
Por, partia më e madhe opozitare, LDK-ja mendon se duhet gjetur një kompromis, pasi që punëtorët e arsimit që kanë përvojë pune afër 20 vjet nuk mund të nxirren në rrugë.
Haziz Hodaj, nënkryetari i Degës së LDK-së në Prizren thotë se këto kuadro edhe pse me shkollë të mesme janë më cilësore se të tjerët me diploma të falsifikuara.
Ndërkaq, Skënder Susuri kuvendar i Nismas thotë se duhet shikuar organogrami i punës i cili edhe do i rregullonte këto probleme.
Megjithatë i mbetet të parit të arsimit që të vendosë nëse do e vazhdojë avazin e vjetër apo do të bëjë reforma në arsimin prizrenas, i cili jo rrallë herë ka qenë në thumb të kritikave, jo vetëm nga politika, por edhe shoqëria civile dhe media.