Dhuna në familje me mbi 1mijë raste gjatë vitit

14.07.2017 12:35:44

Dhuna në familje, mbetet një fenomen shqetësues në Kosovë. Statistikat e kësaj vepre për vitin e fundit tregojnë shifra të larta të dhunës në familje.

Vetëm në vitin 2016 janë shënuar 1225 raste të dhunës. Mirëpo, këto janë vetëm një numër i këtyre rasteve të cilat janë të raportuara në Policinë e Kosovës, pasi disa edhe mbahen fshehtë, shkruan Indeksonline.

Prej këtyre statistikave të Policisë, janë evidentuar 987 viktima femra dhe 259 meshkuj.

Kjo tregon që dukshëm më shumë dhuna ushtrohet mbi femrat, ndërsa me një përqindje jo edhe të vogël është mbi meshkujt.

Kurse të dyshuar janë 107 femra dhe 1179 meshkuj, që tregon prapë një përqindje të lartë të meshkujve që ushtrojnë dhunë në familje të tyre.

Nga rajonet, Prishtina prin me 320 raste të dhunës në familje, pastaj radhitet Peja me 191 dhe Prizreni me 186 raste.

Sipas tabelës më poshtë, në Mitrovicën Veriore për vitin 2016 janë vetëm 61 raste ndërsa në atë Jugore janë 82 raste të dhunës e që janë dukshëm me pak se në rajonet me shumicë Kosovare.

Sipas sociologut, Leutrim Sahiti, dhuna në familje është një dukuri shqetësuese që më shumë prezente është në viset me të izoluara.

“Nëse flasim për nivelin e prezencës së dhunës në familje në krahasim me vitet e para luftës 1999, tani kemi me pak raste të tilla, por ende është shqetësuese kjo dukuri, duke marrë parasysh që ende në vise më të izoluara mbizotërojnë norma kanunore që deri në një masë i japin të drejtë burrit dhe justifikojnë dhunën e tyre ndaj grave”, ka thënë Sahiti.

Sipas Sahitit, në Kosovë këto viktima kur raportojnë dhunën ndaj tyre, paragjykohen dhe ofendohen.

“Në Kosovë jo që nuk mbrohen viktimat por në të shumtën e rasteve ato paragjykohen dhe ofendohen nga vetë drejtuesit e institucioneve në të cilat viktimat e dhunës trokasin dhe kërkojnë ndihmë. Qeveria e Kosovës duhet që të lansojë linja telefonike falas dhe anonime në mënyrë që viktimat e dhunës të raportojnë për rastet e dhunës si dhe të marrin këshilla nga njohësit e kësaj fushe se si të veprojnë në këto raste”, ka shtuar ai. Sociologu është shprehur se ndër faktorët që dërgojnë deri të dhuna në familje është patriarkati, niveli i varfërisë, papunësia, normat kanunore etj.