Dhurata Hoxha godet opozitën që po lobon kundër liberalizimit të vizave

26.09.2018 19:39:07
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhuara Hoxha ka bërë të ditur se përfaqësues të partive opozitare, VV e LDK janë duke punuar kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke lobuar tek zyrtarët evropianë për ta penguar liberalizimin vetëm për interesa të ngushta politike.

Ministrja Hoxha ka theksuar nërmjet një reagimi në faqen e saj në Facebook se përfaqësuesit e paryive opozitare në diskutimet që kanë pasur sot me anëtarët e COWEB për hapat e mëtejmë për përbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, i kanë dezinformuar anëtarët e COWEB dhe kanë qenë destruktiv gjatë diskutimeve.

“Është e turpshme që disa përfaqësues të partive opozitare i kontribuojnë krijimit të imazhit negativ për vendin dhe po dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave në këtë fazë finale. Nuk ka asgjë më të turpshme se kur të zgjedhurit e popullit nuk janë në shërbim të këtij të fundit por të agjendave personale”, ka thënë ministrja Hoxha.

Ajo ka shtuar se këta përfaqësues opozitarë që po lobojnë kundër heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, janë të njëjtit ata që thoshin se Kosova nuk i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe përgjigjen më të mirë e morën kur Komisioni Evropian e konfirmoi përmbushjen e kritereve dhe njohu progresin dhe punën e institucioneve tona.

“Të njëjtën përgjigje do ta marrin sërish, liberalizimi i vizave do të ndodh dhe askush nuk do ta ndaloj lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, ka thënë Hoxha.