‘Dhuroje për nanën’, fushata që ju del në ndihmë grave

21.02.2018 16:00:34

Kur po afrohet 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, tri organizata jo qeveritare në Kosovë janë bërë bashkë për të realizuar një aksion bamirësie për gratë në nevojë, shkruan zeri.info.

Organizatat “Për familjet në nevojë”, “Nëna dhe fëmijë e lumtur” dhe qendra e gruas “Mami” përmes fushatës “Dhuroje për nanën” synojnë të gëzojnë me dhurata për këtë festë shumë gra në kushte të vështira. Ato kanë si prioritet nënat vetushqyese.

“Këtë vit kemi planifikuar që përmes një dhurate simbolike, e cila përfshinë një lule, një ëmbëlsirë (çokollatë) dhe një kartolinë, të i’u dhurojmë ngrohtësi dhe dashuri.Fushata jonë do të jetë e madhe, duke bashkuar emra të mëdhenjtë të skenës politike, artit dhe gazetarisë në një klip të përbashkët duke bërë thirrje për t’i dalë në ndihmë të gjitha nanave të cilat rrisin fëmijët e tyre me shumë sakrifica. Për gratë e keqtrajtuara”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kjo fushatë do të zgjas shtatë ditë dhe për mënyrat se si mund të ndihmoni mund të informoheni në faqet zyrtare të këtyre organizatave.