Dialogu Kosovë- Serbi, Nikoliç kryeson delegacionin serb të martën në Bruksel

22.01.2017 16:29:00

Të martën në mbrëmje, pritet vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nën drejtimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë me dije se Serbia në këtë takim do të përfaqësohet nga presidenti serb, Tomisllav Nikoliç, dhe nga vet ai, ndërsa ka theksuar se edhe nga pala shqiptare pritet të ketë përfaqësim të nivelit të lartë.

“Mendoj se do të ketë mirëkuptim që të mos dërgohen më armë në zonat e banuara me serbë për të treguar muskujt. Për Serbinë, më e rëndësishmja është që t’i shmanget provokimeve”, ka thënë Vuçiç në një konferencë për media.

Gjatë këtij muaji, Serbia nisi një tren të mbushur me mbishkrime nacionaliste serbe nga stacioni qendror i Beogradit për në veri të Mitrovicës, por i cili u ndalua në Rashkë dhe u kthye mbrapsht për në Beograd. Liderët shtetërorë të Kosovës kanë thënë se vendimi për ndalim të hyrjes së këtij treni është marrë nga institucionet e Kosovës, kurse kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, menjëherë pas ndalimit të hyrjes, mbajti një konferencë për media ku tha se vendimi për të mos lejuar kalimin e tij në Kosovë është marrë nga pala serbe.

Policia e Kosovës kishte dërguar njësitet e saja speciale në kufi me Serbinë, përkatësisht në Jarinjë, për të penguar hyrjen e këtij treni, i cili në pjesën e jashtme kishte të shkruar me shkronja të mëdha dhe në disa gjuhë “Kosova është Serbi”, ndërsa në brendësi kishte ikonografi ortodokse.