Dialogu/ Për çfarë marrëveshje të veçantë me Serbinë po flet Isa Mustafa?

26.07.2020 16:28:40

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se koordinatori Shtetëror për dialog, Skender Hyseni, i cili vjen po nga kjo parti, ka bërë të qartë rolin e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.

Mustafa ka thënë se nuk do të ketë asnjë marrëveshje të vecantë me shtetin fqinjë, por do të jetë marrëveshja gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke, transmeton lajmi.net.

“Sot kisha një bisedë telefonike me z. Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror për dialog. Shpreha përkrahjen time dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke. Se dialogu është krejtësisht politik dhe rezulton me marrëveshje politike ndërshtetërore për njohje reciproke”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.

“Poashtu është për tu vlerësuar deklarimi i qartë nga takimi i Koordinatorit Shtetëror, z. Hyseni me z. Philip Reeker, Asistent Sekretar Kyesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan te Shtetit, që dëshmon përkushtimin dhe rolin aktiv të SHBA-së në procesin e dialogut”, thotë ndër tjera ai në shkrimin e tij.

Përvec kësaj, Mustafa thotë se në këtë procesin e dialogut duhet dhënë përkrahje të fuqishme Kryeministrit Hoti, Qeverisë, Presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetëror që e qojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç.