Diana Çuli: Letërsia nuk është kullë e fildishtë

19.03.2019 17:46:21

Një nga librat më të njohur të Diana Çulit ka qenë “Dreri i Trotuareve”. Ky libër, që këtë vit shënon 30- vjetorin në treg është botuar me vonesë dhe është pëlqyer shumë nga publiku. “Nuk e kam kuptuar çfarë e bëri aq të dashur këtë libër. E kam shkruar në fillim viteve ’80, e dorëzova në shtëpinë botuese në ’83-shin dhe nuk ma botuan. Nuk më thanë që kishte gabime, por ma lanë në sirtar. U botua me ’89-ën”, tha Diana Çuli në një bisedë në takimet “Letërsia dhe qyteti” mbajtur nga Alda Bardhyli në Kosovë. Në kafe “Sonder” të Prishtinës, Çuli tha se dëshira për të mos hequr dorë e ka bërë që të mos i ndahet asnjëherë letërsisë, ndonëse letërsia nuk pasohej me kritika për librin. E pyetur se sa e ndjek letërsinë e Kosovës, ajo është përgjigjur se ka vend për organizim më të mirë që të ketë njohje të ndërsjellë të letërsisë. “Televizioni e bën të veten, ne e shohim njëri-tjetrin. Mund të kishim tryeza ose takime më të shpeshta, të diskutonim me autorë. Kam përshtypjen se taksat e kanë penguar qarkullimin e librave”, ka thënë Diana duke shtuar se botuesit ankohen për pagesat e larta që bëjnë për librat. “Mund të them se ne të kulturës jemi më të lënë pas dore në këtë drejtim”, ka thënë ajo. Shkrimtarja qe ulur në mes të akademikut Ali Aliu dhe studiueses se letërsisë Alda Bardhyli, foli për letërsinë në dy kohë.

MES PRISHTINËS E TIRANËS

Shkrimtarja Çuli kujtoi vizitën e saj të parë në Prishtinë si studente, e prej asaj kohe për të është gjithmonë kënaqësi kur kalon pseudokufirin. “Nuk më duket më kufi ai. Sidomos tani që e kemi bërë me një kalim, mbase nesër nuk do kemi kufi fare. Kur kam ardhur për herë të parë në Prishtinë, më dukej një ëndërr, më dukej e pamundur që mund të vinim”, tha ajo. Rrëfeu se si kishin përshkuar Malin e Zi në një ditë dimri nga mesi i viteve ’70, kur Tirana qe ngulfatur nga trysnia ideologjike, kur diktatura kishte filluar të godasë grupe të ndryshme dhe atë vit sapo e kishte goditur edhe grupin e kulturës. “Të gjithë ishin të ndrydhur në Tiranë. Edhe Festivali i Këngës u transformua. Atë vit u bë vetëm opera, nuk kishte më as muzikë të lehtë, se quhej e gabuar dhe u bë një ndrydhje e tmerrshme. Kishte rënë edhe ekonomia dhe ne ishim në errësirë”, ka rrëfyer ajo. Ndër vuajtjet e tjera të asaj kohe që ka përmendur qe edhe pritja në radhë me orë të tëra për të marrë qoftë një litër qumësht. Kryeqyteti i Kosovës thotë se i qe dukur si Evropë, por ndjenin ngrohtësinë se këtu njerëzit flisnin shqip dhe dikush kishte ndonjë të afërm andej pari. Asaj atëbotë i kishte bërë përshtypje kontradikta mes mendimeve të studentëve shqiptarë dhe atyre të Kosovës. Këta të fundit mban mend se i kishin thënë se ju mund të jeni të varfër, por jeni të lirë. Duke qenë se Çuli përmendet për futjen e zërit të gruas në letërsinë shqipe që në vitet ’80-të kur femrat në letërsi ishin të pakta. Romani që u përmend gjatë diskutimit qe “Një lindje e vështirë”, që ishte shkruar vitet ’70 nga shkrimtarja Elena Kadare.

LETËRSIA
“Letërsia nuk duhet të orientojë – letërsia mund të konstatojë, mund të shohë, mund të përpunojë – letërsia merret me njeriun. Letërsia nuk është reportazh, politikë apo linguistikë. Letërsia ka pasur një tronditje edhe për shkak të teknologjisë, për shkak të onlajnit, të telefonit e të televizionit. Nevoja që ka njeriu për fantazi, për të menduar, për të reflektuar i merr kohë, por mendoj se bëhet një selektim, ai që është më i mirë, ai reziston. Shqetësimi im si shkrimtare sot është koha. Nuk kam kohë gjithë jetën, më ka ndjekur kjo”. Për Çulin, letërsia ka një rol misionar. “Sikur të kishte vetëm një rol, ai do të ishte pastrimi i shpirtit. Ose të bën ty pak më të mirë, nëse marrim më të përgjithshmen e letërsisë. Por pa dyshim që diskutimi vlen. Për shembull, për shkak të realizmit socialist, që pati një dogmë që vinte kushte në letërsia, që thoshte se letërsia duhej të ishte e angazhuar, ndaj saj në Evropë pati një reagim shumë negativ. U bënë rrymat e letërsisë së paangazhuar. Tani kjo është kthyer në etikë dhe ne duhet të ngremë pikëpyetje për aspektin moral jo në kuptimin e zakonshëm”. Ajo shtoi se gjykimi i librit në Shqipëri bëhet bardh e zi, ose thuhet se libri është i mrekullueshëm, ose mizerje fare. “Nuk kemi një filtër të kritikës letrare. Ka dy rrugë në formim, e para se kur je një shkrimtare grua sigurisht që personazhin vajzë apo grua psikologjikisht e ndjen më afër është më shumë përkatësi. Burrat i portretizojnë më mirë burrat dhe më i miri fare është ai që i bën të dyja”. Çuli tha se letërsia nuk mund të jetë një kullë e fildishtë e shkëputur nga qarku që ndodh jashtë teje. “Është e pamundur sado të përpiqesh, nuk mund të mbyllesh si shkrimtar brenda, pa të interesuar asgjë që ndodh përjashta. Unë s’e bëj dot këtë jetë, ndaj jam munduar të bëj edhe gjëra të tjera që të më duket se tani po bëj vërtetë diçka për shoqërinë ku po jetoj. Më dukej si egoizëm të bëja vetëm letërsi, sidomos në periudhën e tranzicionit. Ishte si një gur i vogël, një ndihmë për të dalë nga gremina ku ishim”. Ajo foli edhe për raportin e gruas me letërsinë dhe vështirësitë që has ajo. “Unë jam një grua dhe e kam pësuar nga të qenit grua në shoqërinë shqiptare. Në kohën kur kam lindur fëmijët, më duhej të kryeja të gjitha punët e rënda me kushte të vështira. Edhe tani nuk është e lehtë, nuk kam zakon dot të caktuar se duhen mbaruar të gjitha punët e tjera që më pas të mund të gjej në orë për veten”.

TAKIMI
Libri i fundit i shkrimtares shqiptare, titulluar “Vrasje në kryeministri” ka qenë motivi i takimit. Diskutimi për të ishte pika e parë, me të cilën ajo u prezantua të shtunën mbrëma në kafenenë “Sonder” në kryeqytet. Akademiku Aliu i bëri një analizë të librit “Vrasje në kryeministri”, për të cilin ka thënë se ndoshta ka qenë libri i parë që nuk e ka lexuar në letër, por PDF dhe i ka ardhur si freskim nga lexime pak më të rënda. Librin e ka vlerësuar si një thriller tamam me origjinë shqiptare për faktin se sjell frymë nga ai ambient. Sipas tij, ky libër bën një kombinim në mes të politikës realiste dhe trendeve bashkëkohore. “Dianën e kam ndjekur si romanciere, është njëra ndër romancieret e letërsisë sonë. Romanin vërtetë e lexova me kënaqësi, më erdhi si një çlodhje pas leximeve të një proze, që nganjëherë të obligojnë të kërkosh edhe tekste përtej rrëfimit”, ka thënë Aliu. Ky roman thriller sipas akademikut Aliu është i tillë që lexohet pa një kornizë kohore dhe hapësinore, ku lexuesi ndjek vetëm zbërthimin e një krimi të supozuar. Në roman ka një krim që zbulohet dhe është në fond të situatës politike të një hapësirë të Ballkanit, që del edhe përtej saj. “Krimi ndodh në një luftë të çuditshme sa tokësore, sa nëntokësore, të dy blloqeve. Një blloku që është proevropian dhe një tjetri kundërevropian. Duke e lexuar gjithnjë duke pasur ato ditë nëpër mend këtë ngjarje që tenton të zbulojë krimin, të sjell në mend ngjarjen e një politike, që është në qendër të vëmendjes edhe sot”, ka thënë Aliu. Ai ka shtuar se tensionet, situatat konfliktuale dhe deklaratat e njerëzve që në Ballkan është një dorë e zezë që tenton të sjellë konflikte zënë vend aty. Kënaqësia e leximit të këtij romani ka thënë t’i jetë shtuar edhe për arsye se lëvizja hapësinore e rrëfimit përfshin një hark ku ka ecur dhe e njeh”. Aliu tha se Çuli si shkrimtare ka talent është inteligjente dhe ka një formim të gjerë kulturor. “E njeh italishten, frëngjishten përkthen në këto gjuhë domethënë ka një njohje të letërsisë evropiane dhe përkthimet e saj janë gjithnjë përzgjedhje autorësh dhe veprash të rëndësishme. Është autore e shumë romaneve”, ka thënë ai. T’i ketë lënë mbresë ka thënë që ka qenë edhe konteksti interesant dhe turbulent i romanit. Pra, një vrasje që ndodh në kryeqytetin e Shqipërisë, në Kryeministri, njeriut që mbante njërin prej tri-katër posteve më të rëndësishme aty. “Intuita e krijuesit të mirë sikur ka goditur në nerv kësaj here me këtë roman dhe ka dhënë një kombinim të romanit të këtij zhanri thriller me një shkollë të themeltë me një shkollë shumë solide të rrëfimit realist klasik”, u shpreh ai. Aliu shtoi se në roman ka shpërthime psikologjike, batuta me elegancë e estetikë. Libri është i tillë që freskon me informacione, me rrëfim dhe gjuhë jashtëzakonisht të bukur e të rrjedhshme.