Diana Çuli në një rrëfim me 7 shkronja

14.01.2019 01:31:15

B

E bardha:

E bardha është dritë, është mëngjes, është fillim dite. Është punë, energji dhe optimizëm. Ajo vjen pas një nate të errët, kur mendimet e zymta marrin rrugë dhe kanë më pak pengesa. E bardha i shpërndan, ose të paktën i dobëson, i amortizon, i tulat.

E bardha është ngjyra e veshjeve të para të fëmijës, e ditës së dasmës…E shtratit të sapo shtruar e të paprekur.

Është freskia.

Është fleta e letrës së pashkruar. Mbi të mund të përshkruash, të ëndërrosh, të krijosh botë të tëra, personazhe, marrëdhënie njerëzore…Përmes saj mund të japësh dritë ose mund të dëshpërosh, mund të kalosh në fantazitë më të çuditshme e më të papara.

E bardha është ngjyra e parë e horizontit të largët ose të afërt.

Është Çlirimi.

K

E kaltra :

Është deti, udhëtimi, harrimi, lumturia, thellësia, mrekullimi.

Bashkë me të Bardhën, formon shkumën dhe dallgën, rrëmbimin dhe ethen, pështjellimin dhe dëshirën, gezimin e aventurës, ngjethjen dhe arritjen, kur prej kreshtës së saj mund të shohësh qiellin dhe pamatësinë e detit.

Është Qielli. Pafundësia, mahnitja, ngjashnjimi, misteri. Është ngrohtësia, pasqyrimi, vështrimi, çiltërsia.

Është kaltërsia që mbështjell botën me ujë dhe ajër. Është vështrimi i brendshëm i shpirtit kur është në paqe.

L

Libri

Është rrugëtim i pambarimtë, mundim, rënkim, dëshirë…Jetë të panumërta që jetohen brenda një jete, shekuj të përshkuar në pak muaj, botë e shkelur që nga malet e panjohur në oqeanet e frikshëm, në polet e ngrirë, në rrugët e pakthyeshme, në tropikun e nxehtë, në shpellat e errëta, në bulevardet marramendëse të qyteteve të pashkelur.

Libri që depërton në zemër, në shpirt, në mendje, në frymë, në fjalët që flasim, në shkëndijat që shohim, në sendet që prekim. Libri që e anulon botën dhe krijon të tijën, të vërtetën dhe, në këtë haluçinacion, bota e mund, e mposht, por pastaj ai rifillon të ngrihet e të përsërisë betejën, që është njëherazi e dhimbshme, e bukur, e dëshiruar, ngjethëse, ngazëllyese.

M

Mendja

Kjo gjendje njerëzore, e papërsëritshme, që rrekemi të gjemë në është ide, prodhim i shpirtit, i energjisë kozmike, i perëndisë, i energjisë së brendshme të trupit apo thjesht prodhim i evolucionit të qënies, të përkryerjes së fijeve nervore, qelizave, muskujve të trurit, veprimtarisë së tij të jashtëzakonshme, që natyra e ka krijuar të tillë, për të mos e zbuluar dot lehtë, por për ta kërkuar çelësin e të fshehtës së funksionimit të tij derisa të rrojë njerëzimi vetë.

Mendja është vetë bota dhe jeta, është fantazia dhe realiteti, E Keqja dhe e Mira, Urtësia dhe Zemërimi, Pamaturia dhe Pjekuria, Dashuria dhe Dhembshuria. Po edhe Hidhërimi. Prej saj varet lufta dhe paqja, varfëria dhe mirëqenia, vetë gëzimi dhe lumturia.

Mendja mund të jetë dhe Helmimi.

Po mund të jetë dhe Shpëtimi.

Gj

E gjelbra.

Gjelbërimi. Që është jetë, fllad, aromë, lëndina të shtruara me bar, male që gjelbërojnë në pranverë, lumenj të thellë që gjarpërojnë mes tyre, pyje plot të fshehta, me pikëla rrëzëllitëse të mbetura në gjethet, pas shiut.

Shpresë. E gjelbra është shpresë, pritje e këndshme, është përkujdesje. Ajo e kundërshton tymin e errët që nxin qiellin, rrugët, shtëpitë, dhomat, xhamat e dritareve. Ajo lodhet, pastron dhe mbron.

Ajo është prehja e gjallesave mbi dhé, e njerëzve, kafshëve e shpendëve, është zëri i Tokës, ndjenja e saj, frymëmarrja e saj. Ajo është Lashtësia, Qëndresa, E Ardhmja.

Rr

Rruga.

Që na rrëmben, na kërkon, që e kërkojmë, e duam, edhe kur e dimë se na shpie në zgrip të humnerës. Sepse gjithnjë pandehim që do të gjejmë Zbulimin, Përmbushjen, realizimin e Ëndërrës.

Asnjëherë nuk i vidhemi, nuk i fshihemi, asnjëherë nuk bëjmë sikur nuk e shohim. Aq më tepër kur ndalojmë para një udhëkryqi. E panjohura na tërheq si magnet, e paditura na nxit të mësojmë e të pikasim atë që nuk e ka parë askush apo që të tjerët e dinë dhe ne ende nuk e kemi prekur, kuptuar, shijuar. Rruga drejt një liqeni, për shembull, që struket i vogël me kodrash të buta. Drejt një tempulli, fenë e të cilit nuk e njohim, por duam të dimë përse është i tillë. Përse? Dhe gjithnjë – përse? Drejt një anijeje të nxjerrë nga fundi i detit, të mbuluar me alga, drejt një shtëpize

buzë rrugës, drejt një qiellgërvishtëseje që duket si mal i panatyrshëm e që shkëlqen natën nga dritat. Nuk i jemi ndarë rrugës, qoftë ajo me karroca e kuaj, qoftë me makina e avionë. Dikush mbetet në gjysmë të saj, dikush rrëzohet para se të mbërrijë në fund, po të tjerë ia dalin.

Ata janë fitimtarët.

D

Dyshimi

Nuk jetojmë dot pa dyshimin, edhe kur e zbojmë dhe nuk e duam. Dyshojmë në dimë të jetojmë, në kemi ditur të ecim apo kemi bërë vetëm gabime. Jo, nuk kemi bërë vetëm gabime, por ato janë më të shumta se veprimet e drejta. Por, përse duhen quajtur të drejta? Cilat janë kriteret? Ku e kam cënuar të drejtën e tjetrit, duke mbrojtur timen?

Shumë prej nesh qëndrojnë të heshtur para dritares, të grirë nga dyshimet: A kam gabuar në rritjen e fëmijëve? Jo, nuk kam gabuar, mendoj se kam bërë më të mirën. Por, jo, ndoshta nuk e kam kuptuar dot shekullin e ri, botën e re, epokën e re dhe kam prekur atje ku nuk duhet të prekja, kam anashkaluar atë që duhet të jepja.

A kam bërë atë që kam dashur? Po, shpesh herë. Po a ka qenë kjo më e mira? Jo, për fat të keq. Sa shpesh, më vonë, ka dalë që ka qenë më e keqja.

A kam nxjerrë nga duart, nga mendja, nga shpirti atë që duhej? Oh, kush e di. As unë vetë, as ju, as shumë të tjerë. Po si do të jetë gjykimi ? po përse të duhet ky gjykim? Dyshon se je dikushi ? Jo, askushi, pa dyshim. Po nuk ekziston shprehja « «pa dyshim », është kontradiktore e pasaktë, e pavërtetueshme.

Dyshimi. Si mund të jetojmë dhe të përsosemi vazhdimisht pa dyshimin ?