Dije Lohaj: Kujtime nga koha e burgut në Mitrovicë

07.09.2018 17:42:00

 

Ishin kohë të vështira. Burgoseshe për një fjalë goje e lëre më për veprimtari politike ilegale që ne e zhvillonim ditë e natë. Atë ditë si zakonisht shkova në shkollë. Pasi mbarova orën e dytë u futën policia në klasë dhe më nxorrën me dhunë nga ora e mësimit ku dhe më dërguan në dhomat e hetuesisë..Aty vazhduan torturat psiqike e fizike.
Kaloi gjithë ajo ditë e gjatë me fjalë të rënda e fyese, herë pas herë me tortura të tmerrshme e të mundimshme. Aq shumë isha e lodhur sa që nuk më zinte gjumi.
I mbylla sytë dhe u mundova që të flija , por mu atëherë kur më koti gjumi i parë më tingëlluan fjalët e atij përbindëshi me syze të zeza dhe me mustaqe:
– Shko , ne jemi të mirë, por mos flej tërë natën, rri e mendo që nesër të m’i tregosh të gjitha!
Ngrita kokën nga shtrati për të parë se nga më erdhi ai zë, por e pashë vetëm errësirën e dendur, shkunda kokën disa herë thuase doja t’i largoja ato mendime nga koka, dhe kur u binda se isha në qelinë e betontë vetëm atëherë u ktheva në krahun tjetër me shpresë se do të më zinte gjumi. Po si të më zinte gjumi kur thellë në shpirt më gulçonte ndjenja e trishtë dhe s’më linte të qetë të flija së paku as për një çast, mendoja se kur do të vinte ajo ditë që ky njeri me ndjenja krimineli t’i lante mëkatet e veta.
Gjysmëterri kishte rënë në koridor dhe në katër qelitë që ndodheshin në atë pavion mbretëronte një heshtje mortore. Ky terr më dukej se po i përpinte ata banorë të qelive që ishin afër njëra-tjetrës.Mendova se ndoshta nuk ëshë askush nëpër ato dhoma . Kjo më frikësoi paksa…të jesh e vetme në këtë ambient nuk është lehtë , mirëpo nuk domethënë që duhet të ketë edhe të tjerë të burgosur vetëm e vetëm që të më largohet mua frika .Ndërkohë dëgjova një kërismë që kishte një ritëm të veçantë, mbajta frymën që të dëgjoj më mirë. Pas ca çastesh u dëgjua edhe një tjetër kërsimë po me të njejtin ritëm . Si duket këto ishin mesazhet e të burgosurve.Pas pak atje nga fillimi dikush prapë trokiti, por këtë herë edhe dy trokitje të tjera ia shtoi.
Unë u ngrita në këmbë dhe mbajta vesh. Heshtjen e prishi një zë i ëmbël femre që filloi të këndonte:

Katër dhoma n’koridor
Po jehon një zë gazmor
Ndihet zëri i Floreshës
Tringës ,Fatos e Trimëreshës
Zëri pranveror…

Unë dihata përvujshëm tani e kam të qartë se nuk jam vetëm. Zërat u përhapën në tërë burgun edhe unë fillova të këndoja refrenin e këngës, por papritmas mbretëroi një qetësi memece nuk e dija pse ? Dëgjova tak-tukun e këpucëve, atëherë e kuptova se kishte ardhur gardianja. Ngadalë u shtriva në krevat, ndërsa ajo me shufër filloi tu binte dyerve. Ecte me atë trokëllimë të zhurmshme thuase bota është vetëm e saj.
Tash paksa e lehtësuar nga kënga që kisha dëgjuar i mbylla sytë duke menduar për zërin aq të ëmbël të asaj vajze dhe të zërave të tjerë.Nuk e di cilat janë ato, me siguri janë vajzat e grupit të fundit që u mbajt gjykimi para disa javësh. Thonë se njëra prej tyre është shumë e bukur dhe studente e vitit të pestë të mjekësisë.
Ndoshta është pikërisht ajo që këndoi aq bukur…..
Me melodinë e asaj kënge pothuajse kisha fjetur kur dëgjova trokëllimën e mureve, pas pak dëgjova një zë të hollë duke pëshpëritur:
-Trimreshë moj, Trimëreshë, a je e zgjuar?
Nuk di nga cila dhomë erdhi zëri që iu përgjigj:
-Po , po, zgjuar jam, por prita deri sa të shkon gardianja.
Unë dëgjova pa bërë zë.Trimëresha siç e quanin vazhdoi t’i thoshte:
– Si duket sot kanë prurë një vajzë të re dhe e kanë vendosur në qelinë numër 3.
– Ku po e di ti ?-e pyeti tjetra.
– I dëgjova hapat dhe e shikova për vrime të derë.
E kuptova se po bisedonin për mua dhe kuptova se më paskëshin vendosur në qelinë numër 3, andaj vendosa që të lajmërohesha. U kollita dy-tri herë dhe prita përgjigjen .
Përnjëherë u kollitën edhe ato dy vajzat, tek qëndroja ashtu mu dha përshtypja se mos ndoshta është njdonjë provokim.Pata frikë, se mos vallë janë gardianet që po flisnin, andaj heshta për një çast. Ato prapë vazhduan të kolliteshin dhe të flitnin me njëra -tjetrën:
– Tringë, me siguri ka frikë se është dita e parë dhe nuk na njeh.
– A e thërrasim?- foli Trimëresha.
– Mirë, po si t’ia vëmë emrin?
-Ja vëmë, ja vëmë Besa, po, po ,Besa!
Unë kisha hapur sy e vesh dhe po prisja, më bëhej se nuk po e dëgjoja as frymëmarrjen time.Mu duk e çuditshme që emrat po më ndërrohen çdo ditë.Sot gjatë tërë kohës më pyesnin për emrin Nora. Ata më thoshin kinse mua më
thërrisnin me këtë emër me qëllim konspiracioni, edhe këtu sigurisht po
vëkan emra që të mund të flasim e të mos dinë se cila jemi.
-Besë, Besë ,mos u frikëso ne jemi shoqe tuajat.
-Mirëmbrëma .
-Si je ?
-Mirë , mirë, po ju si jeni?
-Edhe ne jemi mirë.
-Prej nga je?
-Jam nga Ferizaj?
Këto dyja u ndalën kur ndërhyri Floresha:
-Qenke vendase imja!
– Më vjen mirë që po ju dëgjoj zërin ,këngën kur e dëgjova më lindi një ndjenjë shumë e bukur!
Heshta ca dhe prita deri sa të flste njëra prej tyre. Prita, por askush nuk floli. Sapo desha ta hap gojën,dëgjova një:
– Shshshtt…!?
U stepa. Athua çfarë po ndodhë? Kur zura ta vras mendjen, papritmas një derë u hap me rrëmbim.U tremba, jo për vete, por për vajzat tjera…
Ndërkohë ca hapa ma tërhoqën vëmendjen, tek po dëgjoja tringëllimën e çelsave menjëherë më lindi pyetja : “Vallë cilën derë do ta hapin”. U shtriva në krevat dhe po bëhesha kinse isha fjetur. U hap dera e qelise sime, u ndez drita. Unë hapa sytë dhe po e vështroja gardianen e cila me tha më një ton urdhërues dhe me një shtrëmbërim të fytyrës:
– Hajde vishu me shpejt ?
– Pse ku po me qoni ?-i thash me një zë paksa te rreptë!
– S’ka ç’të duhet ty, hajde më shpejt !- dhe m’i vuri prangat në duar.
Ruajna zot më thotë se nuk ka çka më duhet mua! Po kujt duhet t’i duhet e nëse mua jo ?

Burgu i Qarkut- Mitrovicë, më 23 shtator 1983