Dikë e penguan afishet për Ditën Ndërkombëtare pa Makina (Foto)

22.09.2016 18:54:57

Sot është shënuar Dita Ndërkombëtare pa Makina, e cila synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, të cilat emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtje të mjedisit.

Kjo ditë, si në shumë vende të botës është shënuar edhe në Prishtinë, ku Ministria e Ambientit kishte organizuar defilim të ecjes në këmbë duke filluar nga ndërtesa e Ministrisë së Ambientit nëpër rrugën “Ukshin Hoti” për të vazhduar në rrugën “Garibaldi” përmes rrugës “George Bush” te Katedralja “Nënë Tereza” në drejtim te hotel “Grandi”.

Njoftimet që ishin vendosur sot gjatë ditës ku shkruante “Car Free Day” (Dita e lirë pa vetura) përgjatë rrugës “George Bush”, janë larguar në orët e pasdites nga dy persona, transmeton Telegrafi.

Nuk dihet se këta dy persona a kanë qenë të autorizuar për t’i larguar këto njoftime, apo këtë e kanë bërë qëllimisht.

Ndryshe, prej vitit 1988, në Paris ka filluar të festohen kjo ditë dhe brenda katër viteve ka arritur të bëhet Dita Botërore e Lëvizjes pa Makina në të gjithë botën.