Diplomatë kosovarë në vendet që s’e kanë njohur Kosovën, MPJ flet për bashkëpunimin me Shqipërinë

24.04.2019 19:49:11
Ministri për Evropën dhe punët e Jashtme, Gent Cakaj ka vendosur që të emërojë diplomatë kosovarë në vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

Ministri Cakaj nuk ka treguar nëse diplomatë nga Kosova do të emërohen ambasadorë të Shqipërisë në ato vende, mirëpo një gjë e tillë as nuk është mohuar, shkruan lajmi.net.

“Informacioni që ju keni mund të jetë i saktë, do të marrim të gjitha masat për fuqizimin për forcimin e Kosovës. Komunikoj ekskluzivisht do të ngremë task-forcën për forcimin ndërkombëtar të Kosovës, më diplomatë nga Kosova dhe Shqipëria. Do të procedojmë shumë shpejt me marrëveshjen ndërministrore”, deklaroi ministri i Jashtëm në detyrë mbrëmë në një emision televiziv.

E në lidhje me këtë lajmi.net ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës për të diskutuar në lidhje me bashkëpunimin diplomatik mes dy vendeve.

Zyra Për Media e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës është shprehur se ky bashkëpunim nuk fillon sot.

Sipas përgjigjes për lajmi.net thuhet se dy ministritë në fjalë e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë kultivuar marrëdhënie të shkëlqyera që nga fillimi.

Duke folur rreth emërimit të diplomatëve kosovarë në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën nga ana e Shqipërisë, Zyra për Media e MPJ-së kanë thënë se kjo iniciativë ka lindur qysh në vitin 2017 dhe gjatë kësaj periudhe kanë punuar intensivisht të dy ministritë në gjetjen e modaliteteve konkrete.

“Bashkëpunimi i Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë në politikën e jashtëm nuk fillon sot. Dy ministritë tona kanë kultivuar marrëdhënie të shkëlqyera në vazhdimësi qe nga fillimi. Sa i përket pyetjes tuaj, më duhet të ju them se kjo iniciativë ka lindur që në vitin 2017  dhe gjatë kësaj periudhe grupe punuese nga dy ministritë respektive kanë punuar intensivisht në gjetjen e modaliteteve të bashkëpunimit konkret në këtë drejtim, i cili do ta ekonomizonte dhe në mënyrë efikase do ti kontribuonte fuqizimit të Kosovës por edhe Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Më tutje, thuhet se të dy grupet punuese të ministrive janë në finalizim e sipër të një draft-marrëveshje e cila do të nënshkruhet nga të dy ministrat në një të ardhme të afërt.

“Në këtë drejtim falënderojmë ish ministrin e jashtëm Ditmir Bushati për punën dhe angazhimin fantastik. Tani, gjithashtu një kontribut të madh po jep edhe ministri në detyrë Gent Cakaj, I cili ka shprehur vullnetin që ky proces të avansojë tutje. Grupet punuese të të dy ministrive janë në finalizim e sipër të draft marrëveshjes e cila do të nënshkruhet nga dy ministrat në një të ardhme të afërt”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të MPJ-së.

Ardhja në detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj duket se ka sjellur një energji të re sa i përket bashkëpunimit diplomatik Kosovë – Shqipëri.

Bashkëpunime të tilla ndërministrore midis dy vendeve ka pasur edhe në të kaluarën me ministrin e mëhershëm Ditmir Bushati.