Disa komentuan e disa jo: Këto janë opinionet e disa prej deputetëve të VV-së rreth largimit të Shpend Ahmetit

08.03.2018 13:55:40

Dorëheqja e radhës nga Lëvizja Vetëvendosje e që është ajo e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk ka kaluar pa kritika nga partia, në të cilën tash e sa vite Ahmeti ishte pjesë e saj.

Reagimet e para rreth kësaj dorëheqje, filluan menjëherë në rrjetin social Facebook.

E deputetja nga radhët e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, tha sot se Shpend Ahmeti ka bërë gabim që ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.

Ndërsa pohon se kjo dorëheqje nuk ka qenë e papritur, pasi që Ahmeti ka kohë, që i ka injoruar organet e Lëvizjes Vetëvendosje, duke mos marrë pjesë në takimet e Kryesisë dhe Këshillit të përgjithshëm.

“Kemi pasur disa probleme të brendshme, për interesa personale të disa individëve, që tashmë kanë dhënë dorëheqje nga organet e Lëvizjes VV. Sa i përket kryetarit të Prishtinës, nuk ka qenë diçka e befasishme. Ka ditë që Shpendi nuk vjen apo nuk respekton organet e VV-së, duke injoruar që të jetë i pranishëm në organet e lëvizjes, përfshirë këtu kryesinë, por dhe këshillin e përgjithshëm. Mendoj që ka gabuar me dorëheqjen e tij, për faktin se ka pasur një angazhim të jashtëzakonshëm të aktivistëve dhe të vullnetarëve të VV që Shpendi të jetë sot kryetar në mandatin e dytë të tij. Dhe konsideroj që ka qenë e padrejtë karshi aktivistëve, por sidomos karshi qytetarëve të Prishtinës, që ai të jap dorëheqje në këtë mënyrë. Unë besoj që Shpendi është dashur që të gjitha problemet që i paska pasur t’i ngris në organet e VV-së, por kjo nuk ka ndodhur, nuk e di se pse ka ndodhur kështu. Por që mbetet me falenderu për gjithë kontributin që ka dhënë kurdoherë në VV. Për fitoret që i kemi arritur së bashku dhe sigurisht që shpresoj që Shpendi do t’i zbatoj në përpikëri premtimet që ka dhënë në fushatën zgjedhore”, tha Haxhiu.

E pyetur rreth krijimit të një partie të re nga ana e të dorëhequrve, Haxhiu thotë se ka deklarata të shumta që qarkullojnë dhe se nuk e di si do të zhvillohen ngjarjet më tutje.

Megjithatë thekson se kryesia e VV-së ka treguar gatishmëri, përfshirë dhe Albin Kurtin që t’i hapin dyert, për të dorëhequrit nga organet e VV-së, por të cilët nuk kanë treguar vullnet për t’u rikthyer.

Ndërsa thotë se Kurti bëri mirë që nuk është tërhequr nga kandidimi për kryetar të kësaj partie, ashtu siç kanë kërkuar të pakënaqurit në këtë lëvizje, të cilët sipas saj ajo çfarë bënë ata, është e padrejtë dhe qëllim keqe dhe se ajo do t’i kundërshton fuqishëm

Me gjithë zhvillimet e reja, pjesa e të dorëhequrve nuk preferonin të flsinin. E i pyetur rreth kësaj gjendje të krijuar, nuk ishte i gatshëm të flas as lideri i VV-së Albin Kurti. E vetmja përgjigje e tij në pyetjet e gazetarëve, ishte urimi për 8 Marsin.

E deputeti Fisnik Ismaili, i cili i takon krahut të Dardan Molliqajt tha se ai ka qenë dhe do të jetë gjithmonë me Shpend Ahmetin, me të cilin edhe filloi karrierën e tij politike.

“Më së miri e keni me fol me Shpendin. Jam gjithmonë me Shpendin. I kam hy këtij rrugëtimi me Shpendin. Kemi punuar bashkë dhe mbetet ashtu”, ka thënë Ismaili.

E as deputetët e tjerë të cilët kanë dhënë dorëheqje nga VV nuk pranuan të flasin.

Të pyetur për gjendjen e krijuar së fundi në VV, nuk deshën të flasin as Visar Imeri, Dardan Molliqaj, Donika Kadaj-Bujupi dhe as Driton Çaushi.