Diskutohet kërkesa e 55 deputetëve për shkarkimin e Ilir Metës

24.06.2019 16:29:45

Në Komisionin e Ligjeve në Parlament është duke u diskutuar mbi kërkesën e 55 deputetëve për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Meta kishte vendosur të shfuqizojë 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale, por mazhoranca e konsideroi këtë vendim si shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Deputeti i Grupit Parlamentar të Pavarur, Ralf Gjoni tha se kërkesa për shkarkimin e Metës është e nxitur dhe më shumë po përdoret për të bërë zhurmë mediatike.

“Mendoj se është i nxituar vendimi për të shkarkuar presidentin, pasi ende nuk kemi të bëjmë me një akt për të delegjitimuar Parlamentin. Mua më duket se kjo procedurë shkarkimi është një lojë politike që ju po bëni dhe është e pabazuar në Kushtetutë. Është një lojë që po hapet për të bërë zhurmë mediatike”, u shpreh Gjoni.

Por deputeti i PS, Bashkim Fino theksoi se vendimi i Metës përbën shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës.

“Presidenti ka marrë një copë letër, ka shkruar çfarë ka dashur dhe i ka vendosur emrin dekret”, tha ai.

Sipas Finos, mazhoranca po e merr me dhimbje këtë masë, por është shkelja e Kushtetutës që ka sjellë reagimin.

“Ajo që më bën përshtypje është letra që presidenti i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë për argumentet e ç’dekretimit. Gjuha e përdorur prej tij është ironike, paragjykuese dhe hipokrite. Jemi përpara një shkelje të nenit 92 të Kushtetutës dhe me dhimbje kemi marrë këtë masë që po ia paraqesim Parlamentit”, tha Fino.

Ndërkohë, deputeti tjetër socialist, Spartak Braho theksoi se Komisioni i Ligjeve nuk merr vendim për shkarkimin e Metës, por për ngritjen e Komisionit Hetimor që do të përcaktojë nëse presidenti është ose jo në shkelje të rëndë Kushtetuese.