Dita e komunitetit turk/ Hoxhaj vlerësoi turqit për besimin në shtetin e Kosovës

23.04.2017 21:56:41

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në ceremoninë kryesore të shënimit të ditës së Komunitetit Turk, që u mbajt sonte në qytetin e Prizrenit.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e komunitetit turk të Kosovës për ndërtimin e një Kosove demokratike dhe shumë-etnike.

Ai ka shprehur mirënjohjen për komunitetin turk të Kosovës që çdoherë kanë besuar dhe besojnë në Kosovën e Pavarur.

Kryediplomati kosovar ka folur për integrimin e këtij komuniteti në Kosovë dhe avancimin e të drejtave të tyre politike dhe etnike.

“Kur ne po hyjmë në dhjetë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duhet të krenohemi me arritjet tona në integrimin e komunitetit turk në institucionet lokale dhe qendrore të shtetit të Kosovës, si dhe në avancimin e të drejtave të tyre politike dhe etnike. Dita kombëtare e turqve të Kosovës është një ditë kur ne reflektojmë për të kaluarën, konstatojmë për rezultatet dhe sfidat e tanishme dhe projektojmë të ardhmen”, ka thënë Hoxhaj.