Dita e parë e diskutimit të rebalancit me plot kundërshtime

25.07.2016 17:20:24

Sot në Kuvendin e Maqedonisë  ka vijuar dita e parë  e diskutimit rreth rebalancit të  buxhetit të  vitit 2016, i cili ka kaluar në  atmosferë  të  tensionuar dhe me diskutime të  ashpra midis opozitës dhe pushtetit.

 

“Procedura ligjore për lëshimin në treg të euro obligacionit është respektuar në tërësi ndërsa pjesa më e madhe e mjeteve, apo rreth 180 milionë euro do të shfrytëzohen për pagesën e obligimeve që duhet të shlyhen deri në dhjetor të 2016”, ka theksuar ministri i financave, Kiril Minovski. Sipas tij, qytetarëve duhet ti thuhet e vërteta se e domosdoshme është që vendi të hyjë në borxhe dhe të shfrytëzojë instrumente të ndryshime për huamarrje. Ai ka paralajmëruar se huamarrja do të vazhdojë edhe gjatë periudhës së ardhshme. Ministri Minovski e arsyetoi nevojën për rebalancin e buxhetit me ndryshimin e projeksioneve në buxhet.

“Lëvizjet fiskale nga periudha e  kaluar e vitit nuk kanë ndryshime të dukshme nga siç janë planifikuar. Por, gjendja politike në vend ka ndikim sikur në të ardhurat ashtu edhe në shpenzimet buxhetore. Përshtatjet të cilat propozohen në ndryshimet dhe plotësimet e buxhetit të shtetit në vitin 2016, kryesisht janë në anën e shpenzimeve”, ka thënë Minovski.

Marjanço Nikolov nga LSDM ka kundërshtuar rebalancin e Buxhetit dhe ka kërkuar tërheqjen e tij sepse i përfshin, siç pretendon ia edhe mjetet nga euro obligacioni, emetimi i të cilit sipas tij është joligjor.

Duke folur për borxhin, Nikolov ka thënë se shtetet tjera marrin borxh me kamatë të ulët, siç përmendi Italinë me 1,5%, ndërsa Maqedonia merr borxh të jashtëm me 5,6% kamatë.

Deputeti i LSDM gjithashtu tha se nëse borxhi i fundit do të merrej Brenda shtetit do të kurseheshin mbi 50 milion euro vetëm nga kamatat.

“Me marrjen e pamëshirshme të kredive, ju e rrisni borxhin publik mbi kufirin psikologjik të 50%-it. Maqedonia e kaloi këtë kufi të borxhit publik, andaj i nderuar ministër, nëse vazhdoni me këtë temp do të arrini shpejtë, deri të ajo që e donit me ndryshimet kushtetuese, të na çoni deri te 60%-shi”, ka thënë Marjanço Nikolov, deputet i LSDM.

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov propozoi që për marrjen e borxheve mbi 100 milion euro, të vendos Kuvendi, duke siguruar kështu përgjegjësi më të madhe dhe transparencë në marrjen e vendimeve për huamarrjet publike të shtetit.

“Ky rishikim i buxhetit është diskriminimi i radhës që po i bëhet shqiptarëve”, akuzuan nga PDSh, pasi që sipas partisë opozitare shqiptare nuk janë paraparë mjete për pjesën shqiptare.

“Zero denarë janë paraparë për ujësjellësin në lagjen Vizbeg, zero denarë për universitetin “Nënë Tereza”, me të cilin po mburren kohës së fundit, nuk është fare si pozicion buxhetor as ITShKSh dhe vetëm 2 milionë denarë janë paraparë për muzeun e alfabetit të Manastirit, me siguri këto 2 milionë denarë janë paraparë për atë shitoren me pllaka aty tek muzeu, e jo vetëm për muzeun”, ka thënë Bekim Fazliu nga PDSh.

Kjo ishte dita e parë e diskutimit të rebalancit të buxhetit i cili sipas rregullores së Kuvendit nuk mund të zgjas më shumë se pesë ditë.