“Do t’iu përgjigjemi si në vitin 1999” – Deklarata e Thaçit që nxiti reagime të ashpra në Serbi

09.04.2018 22:57:04

Sot u shënua 19 vjetori i Betejës së Koshares. Në manifestimin “Ditët e Koshares”, mori pjesë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Duke folur për kërcënimet që Serbia po ia bën Kosovës, Thaçi tha se atyre Kosova do tu përgjigjet sikur në vitin 1999.

“Përgjigja e shtetit të Kosovës është e qartë, çdo kërcënimi do t’i përgjigjemi, si i jemi përgjgjur më herët, 19 vjet më parë” deklaroi sot presidenti Thaçi.

Kjo deklaratë u interpretua nga shumë media se “Kosova do t’i përgjigjet Serbisë me pushkë”.

E kjo nxiti reagime të ashpra në shtetin serb. Marko Gjuriq, Vuçiq e Vulin ishin disa nga zyrtarët e lartë serbë që reaguan ndaj deklaratës së Thaçit, transmeton lajmi.net

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia e dëshiron paqen, kurse tha se Thaçi nëse dëshiron le të merret me armët.

Presidenti i Serbisë tutje tha se “Serbinë nuk e mposhtën armët, por aeroplanët”.

“Nuk më pëlqen të merrem me armë, nëse Thaçi dëshiron le ta bëjë. Por pushkët nuk e shkatërruan Serbinë. E jona është të kemi politikë të paqes”, tha presidenti serb.

Më i ashpër në reagimin e tij ishte ministri serb, Aleksandar Vulin.

Ky i fundit e quajti kriminel presidentin e vendit.

“Serbia nuk e kërcënuar nga askush dhe sidomos jo në provincën e saj jugore, dhe kjo nuk është politika e paqes, por politikë e tillë si e Thaçit që para disa kohe e dogjën Ballkanin”, tha Vulin.

Reagoi edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq.

Ai tha se Thaçi me deklaratat e tilla po bën thirrje për luftë dhe dhunë.

Në manifestimin për Betejën e Kosharës morën pjesë edhe zyrtarë tjerë të lartë shtetëror.