Doktor Hatim Baxhaku i duhet për zot shpie Prizrenit!

02.10.2017 23:13:25

Prizreni – Qyteti Muze i traditës shekullore kulturore-historike me vlera të një identiteti të veçantë, është pasuria e shenjtë shpirtërore e prizrenasve, por edhe e gjithë shqiptarëve kudo që janë. Mirëpo, kjo pasuri kaq madhështore, jo nga të gjithë është duke u respektuar sa e si duhet. Për me tepër, ka pasur njerëz, grupe njerëzish dhe pushtete që e kanë përbuzur, ia kanë cenuar krenarinë, ia kanë njollosur dinjitetin, ia kanë ngulfatur zhvillimin, ia kanë nëpërkëmbur traditën, ia kanë njollosur emrin, ia kanë turbulluar shpresat… Një kësi fatkeqësie Prizreni e ka përjetuar edhe gjatë 8 viteve të kaluara, nga një qeverisje e keqe dhe e dëmshme, e një kryetari të papërgjegjshëm  që Prizrenit i ka shkaktuar degradim dhe plagë të rënda dhe afatgjata. E këtillë qe qeverisja e Ramadan Mujës, i cili për shumë kohë do të mbahet për të keq! Mirëpo “ndër fatkeqësi nuk bën me u dorëzua, mjerë ai që nuk qëndron”, prandaj prizrenasit që janë sinonim i shpresës dhe i qëndresës shekullore, vazhdojnë të ruajnë shpresën e fortë se për Prizrenin “paskëtaj ditët e mira do të vijnë!”

Ardhjen e ditëve më të mira prizrenasit e kanë në dorën e tyre, me votën që do ta japin më 22 tetor, për ta zgjedhur kryetarin e komunës, nga i cili varet ecje dhe përparimi, jeta më e mirë dhe më shumë suksese e gëzime, që prizrenasit i meritojnë.

VOTA është qelës që i hap portat e shtegut të dritës…

A do t’i shërbejnë prizrenasit këtij ideali në zgjedhjet komunale?

Them, po, sepse kam parasysh kthjelltësinë e qytetarisë prizrenase në shërbim të drejtësisë dhe së vërtetës! Them po, sepse kah është udha e dritës tashmë e kemi të qartë të gjithë, sidomos nga zhvillimet djallëzore të kohëve të fundit, që po përpiqen ta devijojnë udhën e dritës!

Demokratët rugovian të Prizrenit, që nga të parët në Ballkan e kanë shqye terrin e kuq të diktaturës komuniste dhe i kanë thënë okupatorit serb “No pasaran!” (nuk do të kalosh), janë gjallë dhe të fortë, janë vlera e kristaltë e shpirtit të shenjtë shqiptar, prandaj më 22 tetor, me votën e tyre  do t’ia rikthejnë demokracinë e zambakëve të bardhë të Prizrenit legjendar!

Rasti është tepër i volitshëm sepse, Lidhja e LDK-s ka në garë doktorin Hatim Baxhaku, që edhe zogjtë e malit e dinë se, është më i miri dhe që pa asnjë fije dyshimi e meriton postin e Zotit të Shtëpisë së Komunës së Prizrenit! Por, pse Hatim Baxhahu e merituaka të bëhet kryetar i komunës së Prizrenit?

  • Sepse Hatim Baxhaku është personalitet më integritet të lartë moral, intelektual, profesional dhe atdhetar;
  • Sepse rrjedh nga një familje autoritative për ndershmëri, mirësjellje, bamirësi;
  • Sepse është mjek elitar që me dekada ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen shëndetësore të bashkëqytetarëve të tij, me qindra njerëz duke shpëtuar nga vdekja;
  • Sepse është atdhetar i shquar demokrat, i urtë dhe i mençur, që flet pak dhe punon shumë, që merr vendime ngadalë, por është këmbëngulës për realizimin e vendimeve;
  • Sepse në vazhdimësi, kudo dhe kurdo që ka pranuar të merr ndonjë detyrë, e ka përmbushur plotësisht;
  • Sepse, nuk e do politikën, por i duhet politikës, siç është edhe rasti i kandidimit për kryetar komune, që për Hatimin është ngarkesë, por për qytetarët është interes;
  • Sepse Hatim Baxhaku nuk premton mrekullira, siç po dëgjohen këto ditë, por premton se, do të jetë syri dhe veshi i qytetarëve të vet, dhe do të bëjë të pamundurën për mirëqenien e qytetarëve të komunës së Prizrenit, për jetë më të mirë, për më shumë gëzime;
  • Sepse është i mirë informuar për plagët e shumta që iu ka krijuar Prizrenit qeverisja e shëmtuar e Ramadan Mujës me rrjetin e krimit dhe korrupsionit të organizuar, dhe, doktori me skalper do t’ia shpalojë rrënjët;
  • Sepse Prizreni ka nevojë ta ketë njëherë e mirë, një kryetar të denjë dhe përkatës për qytetarinë e Qytetit Muze;
  • Sepse Prizreni i duhet një kryetar që do, din dhe angazhohet seriozisht t’ia mbroj vlerat nga erozionet e shumta: anti kultura, degradimi arsimor, zvetënimi moral, shkatërrimi i vlerave të trashëgimisë kulturore-historike, shundi dhe diskriminimi gjinor dhe nder njerëzor që janë vlera e identitetit shekullor;
  • Sepse Prizreni i duhet një kryetar që i përfaqëson të gjithë qytetarët pa dallim partiak, duke kërkuar disiplinë pune, rezultate profesionale, pavarësi vepruese por vetëm brenda kompetencave të caktuara zyrtare;
  • Sepse Prizreni ka nevojë për krijimin e institucioneve të mirëfillta ligjore, ku kryetari i komunës është maja e piramidës, për nënshkrimin e vendimeve, por edhe i pari për llogaridhënie;
  • Sepse Prizreni ka nevojë ta ketë zot shtëpie, një qenie të mirëfilltë dhe të plote kuptimtë njerëzore.

Hatim Baxhaku është vlera për qytetarët që ia duan të mirën vetes, familjes e farefisit, lagjes, qytetit dhe gjithë popullatës së komunës së Prizrenit. Prandaj, më 22 tetor, VOTËN duhet t’ia japin këtij kandidati, sepse

Vota për Hatim Baxhakun është vota për më shumë dritë në jetën e komunës së Prizrenit.

 

Skënder Zogaj,

Prizren, 1 tetor 2017