Donald Trump bën lëvizjen e fortë, merr vendimin e rëndësishëm për marrëdhëniet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë

29.05.2020 21:37:03

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se do të ndërpresë me efekte të menjëhershme marrëdhëniet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, lidhur me menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, në një konferencë shtypi, akuzoi OBSH-në se i është nënshtruar Kinës.

“Ne do të përfundojmë sot marrëdhëniet tona me Organizatën Botërore të Shëndetit dhe do t’i orientojmë ato fonde drejt nevojave urgjente globale dhe të merituara të publikut”, -tha Trump.

Ai fajësoi Kinën që nuk ishte mjaftueshëm transparente në lidhje me virusin që shpërtheu në Wuhan.

“Kina ka kontroll të plotë mbi Organizatën Botërore të Shëndetit, pavarësisht se paguan vetëm 40 milionë dollarë në vit në krahasim me ato që kanë paguar Shtetet e Bashkuara, që është afërsisht 450 milionë dollarë në vit. Ne kemi detajuar reformat që duhet të bëjë dhe të përfshihet drejtpërdrejt me to, por ata nuk kanë pranuar të veprojnë”, -tha Trump.