Donika Kadaj-Bujupi: Cili popull po na gjykon

29.12.2017 12:04:25
Deputetja e VV-së, Donika Kadaj-Bujupi tha se gjykata do të vendosë për deputetët në emër të popullit, por shtroi pyetjen se në emër të cilit popull po bëhet kjo.

“Kjo gjykatë duhet të na gjykojë në emër të popullit. Por çfarë ironie – cili popull po na gjykon? Populli që në mënyrë masovike kundërshtoi ‘zajednicën’ e demarkacionin përmes peticioneve dhe protestave”, tha Kadaj-Bujupi.

Ajo konstatoi se të akuzuarit mbrojtën shtetin.

“Ne i mbrojtëm institucionet dhe e mbrojtëm shtetin tonë”, tha Kadaj-Bujupi.

Edhe avokati i saj Afrim Salihu tha se “veprimet e të mbrojturës sime ishin në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Salihu deklaroi se beson që trupi gjykues do të vendosë drejt.

Kujtojmë që të edhe Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu thanë që me veprimin e hedhjes së hazit lotsjellës në Kuvend, ishin në mbrotje të Republikës së Kosovës.