Dorëheqja e Tahirit, Basha: Mashtrim për BE-në! Drejtësia e kapur nga Rama

04.05.2018 13:54:18

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se dorëzimi i mandatit të ish-ministrit Tahiri është një mashtrim i madh për Gjermaninë dhe Europën.

Në një dalje për mediat, Basha theksoi se Tahiri duhej të kishte dorëzuar mandatin e tij të deputetit 6 muaj më parë dhe jo tani në pag të vendimit të vendeve evropiane për rekomandimin e çeljes së negociatave.

Kryedemokrati shtoi se pas gjithë këtij skenari qëndron kryeministri Rama, i cili sipas Bashës duhet të largohet nga drejtimi i qeverisë për t’i hapur rrugën vendit drejt integrimit evropian.

“Me aktin e fundit të ish-ministrit të Brendshëm, Rama mbrojti Tahirin. Rama i ktheu deputetët socialistë në gjyqtarë. Tahiri duhej të ishte dorëhequr 6 muaj më parë, ai e shfrytëzoi mandatin për të prishur provat dhe pastruar banesat, – u shpreh Basha. – Ja pse Ramës i duhej një prokuror po Vetting, sepse vetëm kështu, Tahiri, edhe pa mandat nuk do vihej para drejtësisë. Pas kapjes së drejtësisë, Nezar Seiti u ekstradua në Itali në shkelje flagrante te shtetit shqiptar, pse? Për arsye se është urdhëruar nga Rama. Pas këtyre akteve dhe faktorit ndërkombëtar, erdhi dorëheqja e Tahirit, si mashtrim për Gjermaninë, si mashtrim për Europën, si për të thënë se tani është në dorë të drejtësisë, por drejtësia është në dorë të Ramës”.

Sipas Bashës, Rama e Tahiri janë në duart e njëri-tjetrit tani. “Ka shqiptarë që besojnë se Tahiri e kanabizoi vendin pa miratimin e Ramës, sigurisht që jo, sepse Ramës i duheshin paratë për të vjedhur zgjedhjet.

Tahiri është një gur shahu, një levë, një mashë. Skema vazhdon, siç vazhdon droga, tonelatat e kanabisit, pa iu hyrë gjemb në këmbë. Por drejtësia e kapur dhe e shantazhuar nga Rama nuk do e zgjidhin dot këtë problem jetik për shqiptarët, ajo që duhet, është vetëm largimi i Ramës, kjo është zgjidhja, nuk ka BE me qeveri mafioze që vepron me kodet e mafies. Prokuroria e kapur nuk vepron dot. Rama është pengesa e vetme drejt BE, zgjidhja është ikja e tij dhe organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme”.