Dorëheqjen e Haradinajt për shkak të Speciales, Kurteshi e quan “rrenë të kulluar”: Ishte kalkulim mashtrues politik

07.08.2019 00:10:46

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, dorëheqjen e Ramush Haradinajt, për kinse ftesën nga Gjykata Speciale, e ka quajtur rrenë të kulluar.

Kurteshi në një postim në një llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se arsyetimi i dorëheqjes së Haradinajt për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale është kalkulim mashtrues politik.

“Nëse është i dyshuar, ai ka mbetur i dyshuar. Aq më shumë nëse gjykata apo prokuroria nuk e ka përfunduar punën për shkak tē “heshtjes” së këshilluar. Rreziku për ta ftuar sërish, si “i dyshuar”, madje edhe si të akuzuar, mbetet aktual dhe i pashmangshëm. Prandaj kthimi në postin e dorëhequr pas kësaj loje mashtruese, është vetëm pangopshmëri me zhvatje të buxhetit të shtetit”, ka shkruar Kurteshi.

Postimi i plotë i Kurteshit:

ZHBËRJA E SHTETIT (4) – GËNJESHTRA E HARADINAJT

Dorëheqje për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar.

Rrenë e kulluar, kalkulim perfid e mashtrues politik!

Nëse është i dyshuar, ai ka mbetur i dyshuar. Aq më shumë nëse gjykata apo prokuroria nuk e ka përfunduar punën për shkak tē “heshtjes” së këshilluar. Rreziku për ta ftuar sërish, si “i dyshuar”, madje edhe si të akuzuar, mbetet aktual dhe i pashmangshëm. Prandaj kthimi në postin e dorëhequr pas kësaj loje mashtruese, është vetëm pangopshmëri me zhvatje të buxhetit të shtetit.

Haradinaj ka gënjyer me ftesën. Në asnjë rast dhe mënyrë nuk ka qenë i ftuar si i dyshuar! Një ftesë, nëse ka ekzistuar një e tillë, ajo nuk ka qenë si i dyshuar. Ai as e ka bërë dhe as nuk do ta bëjë kurrë transparente çështjen e ftesës. Pse

Sepse në të vërtetë frika e rrëzimit të qeverisë nga vetë partnerët e koalicionit, që janë bashkuar me qëllim zhvatjeje, mashtrimi, korrupcioni, hajnie e krimi të organizuar institucional dhe në thelb ka tradhëtinë dhe mashtrimin, është arsyeja e dorëheqjes nga pozita e Kryeministrit dhe jo ftesa nga Haga. RRENË ME BRIRË!

#Poshtëzhbërësiteshtetitdhegënjeshtarët”, ka shkruar Kurteshi.

Ndryshe, Ramush Haradinaj, dorëheqjen nga pozita si kryeministër i Kosovës e kishte paraqitur për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshtë.

Ndërsa pas kthimit nga Haga, Haradinaj kishte thirrur mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ndonëse kjo mbledhje u kundërshtua nga përaqësues të pozitës dhe opozitës duke thënë se nuk ka legjitimitet që Haradinaj pas dorëheqjes të thërras mbledhjen.

Mirëpo pas kundërshtimeve të shumta, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të vendit.

Ai në një konferencë për media pati thënë se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të dijë se si vazhdon qeverisja më tej.

“Kam kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të di a nënkupton kjo dorëheqje edhe një kujdestari qeverisje pastaj, pra një vazhdim të një kujdestarie qeverisëse. Edhe pse zyra ligjore pranë kryeministrisë e ka vlerësuar kështu në bazë të praktikave, në bazë të interpretimeve të mëhershme, megjithatë për të qenë në anën e ligjit i kam dorëzuar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë”, kishte thënë ai.