Dorëheqjet e shumta, Vetëvendosje mblidhet nesër

09.01.2018 20:07:17

Tash e disa javë Lëvizja Vetëvendosje është duke u përballur me dorëheqje të një pas njëshme të zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve të saj.

Lidhur me këto dorëheqje, Kryesia e Vetëvendosjes pritet që nesër të mbajë mbledhje. Këtë e ka konfirmuar sekretari organizativ i VV-së, Ismajl Kurteshi.

Kurteshi ka theksuar se gjatë kësaj mbledhje pritet të diskutohet edhe për dorëheqjet e fundit në VV.

“Po nesër do të kemi mbledhje në orën 15:00. Do të diskutohet për situatën aktuale në Vetëvendosje si dhe do të shqyrtohen edhe dorëheqjet”, ka thënë Kurteshi.

Kujtojmë se dje dorëheqje nga pozitat drejtuese brenda VV-së ka dhënë deputeti Faton Topalli, ndërkaq një gjë të tillë e ka bërë sot edhe kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.