Dorëzimi i parë i hapur i Ramushit para Serbisë

25.09.2017 10:02:41

Nga Rexhep Kastrati

Tërheqja e kërkesës për anëtarësim në INTERPOL nuk është bërë ngaqë Kosova është e pafuqishme, por ngaqë kemi të bëjmë me një Qeveri të papërgjegjshme dhe që varet tërësisht nga Beogradi.

Si veprim, ky akt është një akt i pastër i dorëzimit të Ramushit para Gjuriqit, i cili ka në dorë fatin e tij si kryeministër.

Përpjekja për ta paraqitur si akt pafuqie të Kosovës, është jo vetëm e paqëndrueshme, por edhe komprometuese, pasi që pozitën personale të Ramushit e identifikon me pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

  Çështje të tilla si anëtarësimi në INTERPOL nuk është çështje fuqie apo pafuqie, por çështje bashkërendimesh me shtete aleate, ashtu sikurse edhe çështja e anëtarësimit në UNESCO.

Në këtë kontekst, duhet theksuar rastin e dështimit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, e që ndodhi për shkak të abstenimit apo votimit kundër të disa shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Ky dështim, siç është bërë publike, ka ndodhur për shkak të sjelljes së opozitës dhe meglizhencës së Hashim Thaçit. Vetë Obama e ka përmendur Hashim Thaçin për mospranimin e Kosovës në UNESCO.

Pra dështimi i pranimit në UNESCO nuk ishte rezultat i pafuqisë së Kosovës, por rezultat e bashkëveprimit të opozitës dhe të Hashim Thaçit me Beogradin.

Prandaj edhe tërheqja e kërkesës për anëtarësim në INTERPOL është vetëm dorëzim i Ramushit para Serbisë, e që do të ketë pasoja të rënda për Kosovën, për pozitën e saj ndërkombëtare dhe për anëtarësim në UNESCO.

Ndikimi i drejtpërdrejtë do të jetë pikërisht në çështjen e parashtrimit të kërkesës për në UNESCO, duke e paraqitur veç lojë politike të Hashim Thaçit.

Dhe jo vetëm kaq: me këtë varësi të plotë nga Serbia, kjo farë Qeveria Ramushi-Gjuriq jo që nuk do të avancojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës, por do ta devalvojë edhe më shumë.