Dortmund “çerdhe” talentesh, Isak është vetëm “diamanti” i fundit!

23.01.2017 22:18:12

Borussia Dortmund konfirmohet gjithnjë e më shumë si çerdhja e disa prej futbollistëve më të talentuar në Europë, në momentin që fitoi duelin me Real Madrid, duke siguruar shërbimet e sulmuesit 17-vjeçar, Alexander Isak, për 10 milionë euro, që iu paguan klubit ku talenti u rrit, AIK Stokholm. Ky talent i shtohet numrin të “diamanteve” që drejtuesit Michael Zorc dhe Hans-Joachim Watzke kanë vënë në dispozicion të trajneri Thomas Tuchel.Mes shokëve të skuadrës së Isak do të jenë Ousmane Dembele (19 vjeç), Emre Mor (19 vjeç), Julian Weigl (21 vjeç) dhe Christian Pulisic (18 vjeç). Të gjithë shumë të lakmuar në merkato, më të mirët e moshës së tyre, por të “blinduar” nga Dortmund me kontrata afat-gjata. Ata do të jenë pasardhësit e “yjeve” aktualë në ekipin gjerman si Marco Reus, Shinji Kagawa, Mario Gotze dhe Pierre-Emerick Aubameyang.

OUSMANE DEMBELE, Ashtu si shumë blerjet e fundit të bëra nga Dortmund, Dembele kishte oferta nga gjysma e Europës pasi shkëlqeu në sezonin e kaluar me Rennes, duke shënuar 12 gola në 26 ndeshje. Trajneri Tuchel ka besuar verbërisht te ai dhe futbollisti ka veshur 25 herë fanellën e Borussia, pavarësisht se golat janë pakësuar në krahasim me kohën kur luante në Francë, pasi deri tani ka shënuar vetëm pesë gola. Megjithatë, me 7 asiste ai është një nga “furnizuesit” më të mirë në kampionatin gjerman dhe kushton të paktën 45 milionë euro.

EMRE MOR, Dortmund pagoi 10 milionë euro te skuadra daneze e Nordsjaelland nga ku mori mesfushorin e talentuar Emre Mor. 18-vjeçari ishte gjithashtu pjesë e Turqisë që luajti në kampionatin europian dhe dy paraqitjet e tij ndaj Kroacisë dhe Republikës Çeke treguan të ardhmen që do të ketë ky lojtar i talentuar. Deri tani ka shënuar 1 gol dhe ka marrë 1 karton të kuq në 16 ndeshje për Borussia, por në Gjermani dhe kushdo që e ka parë është e bindur se turku ka një të ardhme të shndritshme.

JULIAN WEIGL, Dortmund mori Weigl nga skuadra e kategorisë së dytë Munich 1860, ku ai ishte kapiten në vitin 2015 edhe pse vetëm 19-vjeçar. Ai është konfirmuar si një titullar i ekipit të Tuchel dhe pavarësisht fizikut të brishtë shquhet për rikuperimin e topave. Te Dortmund është paraqitur aq mirë sa ka fituar një ftesë edhe nga kombëtarja gjermane dhe konsiderohet si një nga 21-vjeçarët më të mirë në qarkullim. Weigl ka luajtur 28 ndeshje në të gjitha veprimtaritë gjatë këtij sezoni.

CHRISTIAN PULISIC , Sulmuesi amerikan Christian Pulisic është ndoshta talenti më i madh që ka Dortmund dhe Borussia nxitoi te largojë nga kthetrat e klubeve të mëdha, duke rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2020. “Kam ende shumë për t’u përmirësuar dhe ndoshta mund të arrijë në majë. Te Dortmund i kam të gjitha kushtet për t’ia arritur. Oferta e tyre ka qenë e parefuzueshme,” – tha 18-vjeçari, i cili deri tanë ka luajtur 11 ndeshje dhe ka shënuar tre gola me kombëtaren e SHBA. Në këtë sezon numëron 19 ndeshje dhe 2 gola me Dortmund.

ALEXANDER ISAK, Talenti i fundit që i shtua Dortmund konsiderohet nga suedezët si pasardhësi i Zlatan Ibrahimovic. Në vitin 2016, ai shënoi 13 gola në 29 ndeshjet e para të luajtura si profesionist me AIK. Për ta marrë, Dortmund pagoi 10 milionë euro dhe mposhti konkurrencën e Real Madrid. “Alexander Isak kërkohej nga klubet më të mëdha të Europës dhe ne jemi shumë të lumtur që e bindëm të vijë te ne duke i shpjeguar se do ta ndihmojë të bëhet një futbollist i madh,” – tha drejtori i Dortmund, Michael Zorc. Burimi:telesport.al