Dortmund, Schalke e Valencia në gjurmët e Taulant Xhakës

29.12.2016 12:40:06

re klube të Bundesligës gjermane dhe një skuadër e La Ligas spanjolle në garë për Taulant Xhakën. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka nxitur një duel gjigandësh në merkato. Të interesuara për shërbimet e 25-vjeçarit janë emra të rëndësishëm të futbollit europian, si Borussia Dortmund, Schalke e Borussia Mönchengladbach në Gjermani dhe Valencia në Spanjë.

Taulant Xhaka, që prej 15 vjetësh militon te Baseli, duke kaluar nga skuadrat e Akademisë deri në skuadrën e parë në Superligën zvicerane dhe me vetëm një sezon huazim te Grasshopper, ka kontratë me klubin deri në vitin 2021. Për transferimin e kuqeziut, nevojiten të paktën 15 milionë euro, të cilat do të kalonin në arkat e kampionëve të Zvicrës, por gjithashtu e rëndësishme do të ishte edhe dëshira e vetë futbollistit, për të zgjedhur se në cilën skuadër dëshiron të vazhdojë karrierën.

Taulant Xhaka vlerësohet jo vetëm për lojën në mesin e fushës, ku shfaqet si një luftëtar i vërtetë, por edhe për faktin se ai mund të shërbejë si “xhol” në skuadër, duke mbuluar disa pozicione edhe në qendër apo në krahun e djathtë të mbrojtes.

Për momentin, gjithçka mbetet në kuadrin e interesit dhe në zyrat e Baselit nuk është paraqitur ende një ofertë zyrtare. Gjithsesi, mbetet fakti që me skuadrën në krye të kampionatit dhe që po ecën e sigurt drejt titullit të 8-të radhazi, në klub nuk dëshirojnë të privohen nga shërbimet e mesfushorit në merkaton e Janarit dhe gjithçka do të shtyhej për në fund të sezonit.