“Dosja12 Tirana – Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, Ylljet Aliçka botohet në norvegjisht

23.08.2017 00:14:25

Këto ditë, është botuar në Norvegji romani “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” (ose Ndërkombëtarët) i shkrimtarit Ylljet Aliçka nga një prej shtëpive botuese më prestigjoze norvegjeze, Bokvennen, me titull “Dosja12 Tirana – Rrëfenjë me ndërkombëtarë” përkthyer nga origjinali nga Jon Kværne. Romani përshkruan jetën e një prej zyrave diplomatike ndërkombëtare, vendosur në Shqipëri pas viteve’90, për të futur vendin në rrugën e mbarë të përparimit, pas brezash të humbur nën regjime diktatoriale. Po si mund të ndihmohet një vend ku kamerierët e trupit diplomatik janë të pashpirt, dhe ku për larjen e rrobave shpenzohen shumë detergjentë, apo në një humbëtirë ku vendasit nuk respektojnë qentë, ndërsa kuajt janë të pastërvitur, fundja si të zotët?!

Bëhet fjalë për një ironi që kalon jo rrallë në një sarkazëm të hidhur, me të cilën autori “qëndis” kontrastin mes idealeve fisnike të ndërkombëtarëve dhe përditshmërisë së jetës së tyre rutinë, zhytur në zyrat gri. Arrivizmi për të ngjitur shkallët e karrierës është prioriteti absolut i stafit ndërkombëtar apo i dikujt që ia del të zërë butësisht dhe si pa u vënë re një vend pranë ambasadorit në veturën e tij diplomatike. Hasim aty diplomatin që i merr vendimet e rëndësishme diplomatike, nën efektin dehës të ndjenjave të pastra të dashurisë… Teksa një tjetër diplomat preferon më mirë të këpusë në fshehtësi të plotë frutat e pjekura të oborrit të përfaqësisë, sesa të bjerë viktimë “e çmimeve të çmendura të vendasve”.