Drejtësia në duart e ndërkombëtarëve

13.08.2016 09:53:17

Aq thellë ka depërtuar politika me ndikimin e vet në institucionet e rendit dhe ligjit, ndikimet ekstreme të të gjitha emërimeve në Polici, në Prokurori dhe në Gjykata, që mandej reflekton negativisht edhe duke ndërhyrë në punën e pavarur të këtyre institucioneve, për të pamundësuar funksionimin e shtetit ligjore, saqë tani një depolitizim i këtyre institucioneve, sipas njohësve të jurisprudencës, nuk mund të ndodhë pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

Sipas ekspertëve, politika kosovare mund të bindet për ta lënë të qetë drejtësinë vetëm nëse një gjë të tillë e imponon me fuqishëm faktori ndërkombëtar, sikur që e imponoi një veprim të ngjashëm edhe në Shqipëri.

Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani ka pohuar se derisa politika ka aq shumë interes nga kapja e drejtësisë për të pamundësuar luftimin e dukurive negative, pjesë e të cilave janë individë dhe struktura nga vetë politika zyrtare, atëherë nuk është e pritshme që kjo politikë vullnetarisht të tërhiqet dhe ta lërë të qetë, ta bëjë si duhet punën që i takon sistemit unik të drejtësisë kosovare.