Drejtori i AKI-së takon të parin e CIA-s, publikohet fotoja

26.07.2016 09:38:11

Një foto e takimit të  Drejtorit të AKI-së Agron Selimaj me Drejtorin e CIA-s John Brennan ështe postuar në ueb-faqen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Takimi është zhvilluar në selinë e CIA-s në Lenglli më 4 prill të vitit 2016.

Sipas burimeve të RTK-së, bashkëpunimi i AKI-së me CIA-n amerikane është i nivelit të lartë,  ndërsa shtrihet në disa rrafshe të veçante ku prin lufta kundër radikalizmit e terrorizmit, luftimi i spiunazhit në dëm të sigurisë, luftimi i sabotazhit drejtuar infrastrukturës vitale, luftimi i krimit të organizuar, por edhe në shumë fusha tjera të interesit reciprok.

Po ashtu bashkëpunimi shtrihet edhe në luftimin e aktiviteteve që bien ndesh me të drejtën humanitare ndërkombëtare, trafikimin ilegal të substancave ilegale, apo transportin e armëve ose të komponentëve të tyre , akteve të dhunës së organizuar si dhe çështjeve tjera që kanë të bëjnë me kërcënime serioze ndaj shëndetit apo sigurisë publike.

Natyrshëm CIA konsiderohet  partneri më i madh i AKI-së ndërsa bashkëpunimi dhe partneriteti mes këtyre dy agjencive të sigurisë është interes strategjik i Republikës së Kosovës.

Duhet theksuar se AKI nga të gjitha institucionet simotra rajonale prin me bashkëpunim me CIA-n.