Drejtori i suspenduar Nexhat Krasniqi, figuron që po kryen punë në MI

13.03.2019 12:45:39

Shefi i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi është suspenduar nga kjo pozitë në nëntor të vitit të kaluar. Por emri i tij po i figuron akoma se po kryen punë për ministrinë.

Nexhat Krasniqi është suspenduar me një vendim të ushtruesit të detyrës së sekretarit Betim Reçica. Por, emri i tij po figuron edhe më tutje në tenderët e ministrisë.
Më 11 mars, MI-ja e ka realizuar tenderin “Ndërtimi i rrugës te varrezat në Pejë”, dhe në fletën standarde të ‘njoftimit për dhënie të kontratës’, si person kontaktues është vendosur emri i Nexhat Krasniqit, shkruan lajmi.net.
Argjend Zemaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë për lajmi.net se ish drejtori i prokurimit, Nexhat Krasniqi vazhdon të jetë i suspenduar. Ndërsa, lidhur me emrin e tij në njoftimet për tender ka pohuar se nuk e di se pse ka ndodhur kjo.
“Ish/drejtori vazhdon të jetë i suspenduar me vendim të sekretarit të përgjithshëm dhe në atë pozitë është një u.d të drejtorit të zyrës së prokurimit. Nuk po e kuptoj se si ka rrjedh e si ka mbet kështu, ndoshta nga koha kur është filluar procedura për këtë çështje, por ajo çka mund të them tani për tani është se, në pozitën udhëheqës i divizionit të prokurimit në MIT nuk është ish-drejtori Krasniqi i cili është suspenduar qe disa kohë nga Sekretari i Përgjithshëm i MIT”, tha Zemaj.
Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka shkarkuar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Nebih Shatrin. Në vend të Shatrit, ministri Lekaj e ka emëruar në pozitën e Sekretarit si UD, Betim Reçicën. Në vendimin e parë të tij, Reçica e ka shkarkuar drejtorin e prokurimit Nexhat Krasniqi.
Fillimisht, Reçica ishte pranuar në punë nga Nexhat Krasniqi si praktikant në zyrën e tij. Më pas ishte bërë zyrtar i prokurimit, dhe më pas ishte sistemuar në Zyrën ligjore. Por, para se të emërohej Sekretar e ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të NJZP-së për projektin e ndërtimit të Autostradës Kijevë-Zahaq.
Krasniqi e Reçica kanë qenë shokë të pandashëm, deri para pak muajve.
Megjithëkëtë ministria e ka arsyetuar vendimin për shkaktimin e Krasniqit në nëntor të vitit 2018.
Sipas Ministrisë, me vendimin e marrë nga organi i Sekretarit të Përgjithshëm, Ushtrues Detyre, ish-Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit i është ndaluar që të ushtrojë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e Udhëheqësit të Prokurimit, kjo përmes vendimit të datës 12.11.2018, ndërsa vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës ka hyrë në fuqi më 12.11 2018.
“Në arsyetimin e këtij vendimi më tutje thuhet se Nexhat Krasniqi, më 21 shtator 2015 është dënuar me 26 muaj (2 vite e dy muaj) me burgim, me aktgjykimin e PKRnr. 144/2013 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për kryerjen e veprave penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare ku ka vërtetuar fajësinë e veprës penale edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me nr.KI45/17. Në vendim gjithashtu thuhet se aktgjykimi (PKR nr 144/2013) dënues me burgim i Gjykatës Themelore në Prishtinë, është konfirmuar edhe me Aktgjykimin PAKR, nr. 603/2015, si dhe nga Gjykata Supreme e Kosovës me Aktgjykimin Pml. Nr. 329/2016 më datë 2 mars 2017”, ka thënë MI-ja.
Gjykatës Kushtetuese, me Aktvendimin për papranueshmëri (nr. Ref: RK 1191/18), e ka cilësuar si të papranueshme kërkesën e bërë nga ana e tij.
“Andaj duke u bazuar pikat e lartcekura në përputhje me nenin 63, paragrafi 4, i cili citon: ‘Nëse nëpunësi civil shpallet fajtor dhe dënohet me kryerje të veprës penale, autoritetet kompetente administrative detyrohen që nga ato elemente të vendimit të gjykatës kompetente, që përbëjnë shkelje të parimeve dhe rregullave administrative, duhet të urdhërojnë shkarkimin e nëpunësit civil’, kjo është vendosur për shkëputjen e marrëdhënies së punës për Nexhat Krasniqin, deri tani në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Prokurim”, thekson MI-ja.
Ministria thotë se ish-Drejtori i Prokurimit deri nuk ka përfillur zbatimin e urdhëresës dhe vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës, duke vazhduar të pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare udhëheqësen e caktuar nga Ministria në detyrën e re, si dhe nënshkrimin e dokumentacionit në formë të kundërligjshme.
“Me datën 19.11.2018 në formën ilegale, përmes vetëgjyqësisë, ka nënshkruar dokumentacion zyrtar dhe pagesa pa autorizime ligjore. Përmes shkresës zyrtare, Ministria e Infrastrukturës, ka njoftuar Policinë e Kosovës me datën 19.11.2018 për largim nga zyra dhe ndalim të pengimit të ushtrimit të detyrës zyrtare për zyrtaren përgjegjëse të Prokurimit”, njofton më tej MI-ja, ndërsa thekson se “deri më tani Policia e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë masë, duke lënë që Nexhat Krasniqi ta sfidojë Ministrinë e Infrastrukturës dhe organet e rendit, duke penguar fizikisht në ushtrimin e detyrës zyrtare zyrtaren e caktuar në këtë pozitë”, përfundonte ministria.
Ndërkohë, dihet se për disa vite, Nexhat Krasniqi ka qëndruar nën akuzën për korrupsion për “krim i organizuar”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”. Ai është liruar nga të gjitha këto akuza.
Derisa për disa vite ka qenë shef i Prokurimit në kohën sa me MTPT-në ka udhëhequr, Fatmir Limaj, ai ishte pezulluar nga puna kur në krye të qeverisë ishte vendosur Isa Mustafa.
Pastaj, si zyrtar nën aktakuzë ai ishte kthyer përsëri në krye të prokurimit të MI-së, në qeverinë Haradinaj, zëvendësministër është edhe Fatmir Limaj. /Lajmi.net/