Drenasi më nuk do të udhëhiqet nga mentaliteti i komandantëve, tha Nika (Video)

11.11.2016 23:39:30

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të komunës së Drenasit, Bedri Nika, ka garantuar se në Komunën e Drenasit do ta zhvendosin forcën e komandantëve me forcën e ligjit.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës në Drenas nuk qeverisej ekskluzivisht nga ish-kryetari Nexhat Demaku, por nga një grup komandantësh, nga një mentalitet i komandantëve që nuk kanë arritur të zhvendosin forcën e tyre nga qeverisja komunale.

Ai ka thënë se komandantët në Drenas janë forca kryesore e zëvendësimit të ligjit .

“Komandantët që po i përmendim janë të nivelit lokal dhe të nivelit qendror. Kjo është një ngufatje e qeverisjes në Drenas. Ne bashkë me qytetarët dhe programin e LDK-së, do ta zhvendosim këtë forcë. Ne do t’i respektojmë maksimum vlerat e tyre gjatë luftës, por do t’ju kërkojmë falje sepse në demokraci me mentalitet të komandantëve nuk mund të udhëhiqet komuna”, ka thënë Nika në emisionin “Kontakt”, në Tribuna Channel. “Qytetarët e Drenasit kanë nevojë për një frymë të re zhvillimore, për projekte të reja zhvillimore dhe për qëndrueshmëri të fuqishme të ligjit në Drenas”!