Drenica tregoi se është heroike, është për shtet dhe ka vetëdie të lartë institucionale

23.04.2017 21:28:39

Më 22 prill të gjitha rrugët të çonin në Drenicë, sepse në Açarevë tregohej se liria që gëzojmë sot është larë me gjakun e Ismet Rrahmanit, birit të mirë të Açarevës, të Drenicës, të Kosovës. Dhe nga e gjithë Kosova dhe nga trojet tjera shqiptare dhe nga mërgata kishin ardhur për të shprehur nderimet dhe respektin për sakrificën sublime të Ismet Rrahmanit, i cili ka hyrë tashmë në panteonin e pavdekësisë, kujtimit dhe të nderimit të përhershëm. Aty ishte kryeministri Mustafa, i cili bashkë me nënën e Ismetit përuruan edhe kullën e ndërtuar në kujtim të sakrificës së tij. Me praninë e tij, kryeministri Mustafa tregoi se shteti i Kosovës vlerëson shumë lart sakrificën për liri që Ismeti, Açareva, Drenica, Kosova dhe gjithë shqiptarët kanë bërë për liri. Dhe Drenica tregoi se është heroike, është për shtet dhe ka vetëdie të lartë institucionale, duke dëshmuar se janë drenicakët e zakonshëm, ata që janë imazhi i vërtet i saj. Dhe respekti dhe pritja burrërore, tamam siç i ka hije Drenicës dhe drenicakëve për kryeministrin Mustafa, ishte pritje, ishte respekt për shtetin dhe për institucionet e tij. E Ismeti ishte pikërisht mishërim i intelektualizimit, i institucionalizimit, i guximit, i vendosmërisë dhe i përkushtimit për lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, edhe me çmimin e jetës së tij. Dhe si Ismeti ishte shumica absolute e Drenicës, sikurse e gjithë Kosovës dhe më gjerë: për liri dhe për shtet edhe me sakrificën më sublime.