‘Dridhet’ Zaevi, shqiptarët gati Planin “B” – federalizmin e Maqedonisë

13.07.2017 14:10:05
Në kohën kur partitë maqedonase, gjegjësisht kryeministri i ri Zoran Zaev, po shprehin hamendje dhe rezerva për platformën shqiptare, gjithnjë e më tepër po dalin në pah alternativa të tjera për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni

Jo rrallë herë nga protagonistë të forcave politike por edhe analistë politikë dëgjohet plani B, ose ideja e federalizimit apo ridefinimit të Maqedonisë, njofton agjencia e lajmeve INA.

Më i zëshmi në këtë drejtim është lideri i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, i cili ka deklaruar se, nëse maqedonasit nuk e pranojnë gjuhën shqipe, shqiptarët do ta krijojnë Parlamentin e tyre në Maqedoni.

“Ne do të largohemi nga ai parlament dhe do ta bëjmë parlamentin e shqiptarëve e më pas vet do ta zyrtarizojmë gjuhën shqipe aty ku janë shqiptarët.

Mjaftë u mashtruam për 25 vite me radhë, tani më ka ardhur moment që brenda 100 ditëve të zgjidhet çështja e gjuhës shqipe. Nëse nuk arrihet kjo, do të nisim të ndërtojmë institucionet tona, të ndërtojmë shtetin paralel, sepse më nuk kemi kohë për të pritur”, është shprehur Ziadin Sela.

Profesori dhe analisti i njohur kosovar, Avni Mazreku në një deklaratë për agjencinë e lajmeve INA thotë se, Maqedonia s’mund të mbijetoj pa shqiptarët.

Sipas tij, shqiptarët etnik si taksapaguesit më të mëdhenj mbajnë gjallë ekonominë dhe stabilitetin e Maqedonisë.

“Më shumë se gjysma e arkës së buxhetit të shtetit mbushet nga shqiptarët që jetojnë në Maqedoni dhe në diasporë. Ata kontribuojnë në stabilitetin makro dhe mikro ekonomik të këtij shteti. Ndërsa çfarë marrin si kundërshpërblim? Pothuajse asgjë. Dhe kjo vërtetohet shumë lehtë nëse shohim dallimet në zhvillim mes rajoneve shqiptare dhe atyre maqedonase”, shprehet Mazreku.

Ai kërkon bojkotimin e shtetit maqedonas, nëse vazhdon të refuzoj realizimin e të drejtave fondamentale të shqiptarëve.

Sipas tij, edhe partitë politike shqiptare janë fajtore për situatën e rëndë të shqiptarëve në këtë shtet.

“Partitë shqiptare kanë rol negativ në Maqedoni. Ato ndihen inferiore dhe nuk artikulojnë si duhet kërkesat e shqiptarëve të cilat duhej të reflektonin në aspektin social, ekonomik e më gjerë. Nëse ndonjë lider shqiptar në Maqedoni, u bën thirrje shqiptarëve që mos ta paguajnë tatimin në shtet, Maqedonia nuk do të mbijetonte”, thekson Mazreku.

Sipas tij, 70 për qind e tatimeve në Maqedoni vijnë nga shqiptarët, derisa shqiptarëve u jepet vetëm 3 për qind.