‘Dridhjet’ e Merkelit rebelojnë partinë, ‘gruaja e hekurt’ mund të largohet para kohe

15.07.2019 10:04:06

Kancelarja gjermane Angela Merkel mund të detyrohet të dorëzojë pushtetin më shpejt se sa ishte planifikuar, për shkak të problemeve me shëndetin, thonë burimet brenda partisë së saj.

Shqetësimet për kancelaren 64-vjeçare janë rritur përsëri, pasi ajo filloi të dridhej sërish të mërkurën, teksa qëndroi në këmbë me kryeministrin e Finlandës në Berlin, gjatë kohës që po luhej himni. Kjo ishte hera e tretë që kancelarja shfaqte probleme me shëndetin e saj, brenda pak javëve.

Të enjten kancelarja qendroi ulur gjatë një pritjeje shtetërore, duke shmangur një dridhje të katërt. Të tregosh dobësi në politikë? Kjo nuk është më tabu në Gjermani.

Frika për shëndetin e kancelares ka nxitur një debat midis kolegëve të partisë nëse Merkel duhet të vazhdojë si kancelare deri në zgjedhjet e 2021.

Merkel ka këmbëngulur se është mirë, por zyra e saj nuk ka dhënë asnjë shpjegim për dridhjen  e përsëritur të saj.

“Dridhjet po nxisin debat të brendshëm të CDU-së nëse Merkel duhet të qëndrojë deri në vitin 2021,” tha një anëtar i komitetit ekzekutiv të CDU.

Vitin e kaluar Merkel hoqi dorë nga drejtimi i partisë në favor të Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila do të garojë për kancelare në 2021.

Megjithatë, Kramp-Karrenbauer – i njohur shpesh me inicialet e saj AKK – ka shënuar rënie  të popullaritetit pas një seri gafash që kanë ngritur dyshime mbi përshtatshmërinë e saj për të pasuar Merkelin.