Drita e Gjilanit dhe Shkëndija e Tetovës synojnë të ndezin shqiptarinë

10.07.2018 12:41:45

Jo të gjithë janë nën ethet e Botërorit sepse e marta nuk është vetëm dita e gjysmëfinales së parë mes Francës dhe Belgjikës, por edhe dita e turit të parë kualifikues të Uefa Champions League. Dy skuadra shqiptare zbresin sot në fushë, Drita e Gjilanit dhe Shkëndija e Tetovës. Pasi bëri historinë duke elimininuar dy skuadra për të kaluar turin paraeliminator sot në orën 20:45 në stadiumin Adem Jashari të Mitrovicës, Drita do të sfidojë suedezët e Malmo.

Këtë herë shkalla e vështirsisë është shumë herë më e lartë për skuadrën e Bekim Isufit pasi përballë gjilanasve do të jetë kampionia e Suedisë, një skuadër që arrin të kapë pothuajse rregullisht grupet e një prej dy kompeticioneve më të rëndësishme Champions League dhe Europa League.

Megjithatë me mbështetjen e madhe të publikut kosovar, Drita do të synojë të shkruajë me gërma të arta emrin e saj në historinë e futbollit kosovar dhe do të bëjë maksimumin për të ndalur Malmo sot. Trajneri Bekim Isufi ka në dispozicion të gjithë grupin e futbollistëve dhe entuziasmi për të bërë një paraqitje sa më të mirë është shumë i madh.

Por në ekranin tonë nuk do të mungojë as dueli i Shkëndijës së Tetovës. Në orën 20:15 skuadra tetovare do të presë në Shkup kampionen e Uellsit The New Stations. Një sfidë deri diku e lehtë në letër për kuqezinjtë tetovarë që kanë bindur edhe në fazën përgatitore të zhvilluar në Slloveni duke mposhtur në miqësore skuadra me emër si Osijek i Kroacisë dhe Vorskla Poltavën e Ukrainës.

Shkëndija do të synojë një fitore pa pësuar gol sot për hedhur një hap të sigurtë drejt kualifikimit në fazën tjetër. Pavarsisht largimeve të kapitenit Ferhan Hasani dhe mbrojtësit Ardian Cuculi dhe talentit Enis Fazlagic, trajneri Qatip Osmani sërish ka në dispozicion një grup shumë të mirë futbollistësh të aftë për shkruar historinë në këtë edicion të Kupave të Europës, me Shkëndijën që synon fazën e grupeve të Europa League.