Drogë me dron në burgun e Larisës, plani i thurur nga disa shqiptarë

02.09.2016 17:21:52

Me një mënyrë të pazakontë, me ndihmën e teknologjisë moderne, disa të dënuar shqiptarë në burgun e Larisës janë përpjekur të fusin në ambientet e burgut lëndë narkotike dhe telefona celularë.

Sipas policisë greke, plani është thurur nga 3 shtetas shqiptarë që vuajnë dënime të rënda në këtë institucion penitenciar, përkatësisht 36,33 dhe 30 vjeç.

Një i katërt 24-vjeçar, edhe ai nga Shqipëria, pasi ka marrë një leje disaditore ka shkuar në Athinë dhe ka blerë një dron (mjet i telekomanduar) të vogël në bashkëpunim me një grek 19-vjeçar.

Në transportin e lëndëve narkotike ka ndihmuar gjithashtu një shtetase greke, që ka sjellë me autobusin e linjes nga Athina në Larisa 211 gramë heroinë, 418 gramë kokainë, 10 telefona celularë dhe 26 karta SIM.