Duhet të votohet me mendje dhe me dashuri për vendin, e jo me mashtrimet e atyre që në zemër kanë interesat serbo-ruse!

23.09.2017 18:59:00

Nga Rexhep Kastrati

Sllogani i fushatës zgjedhore i VV-së  është: voto #memendje, dhe: #mezemer, dhe është sllogani që duhet ta ketë parasysh çdo qytetar i Kosovës, sepse vërtet është koha kur duhet votuar edhe  me mendje, edhe me zemër.

Qytetarët e Kosovës duhet të votojnë me mendje, e jo me frymë që u shfaq nga manipulimi, mashtrimi dhe retorika pseudopatriotike, sepse të votosh me frymën, do të thotë të votosh pa mend dhe pa zemër, pra të votosh kah të frynë era.

Më tej kjo do të thotë të votosh pa pasur parasysh se gjithçka që VV ka thënë para zgjedhjeve ka qenë një mashtrim dhe një rrenë e pastër.

Dhe të votosh me mend, do të thotë të mos mashtrohesh më, dhe të mendosh mirë se a ia ka vlejtur të digjet shteti për të komprometuar vendin, për të penguar proceset, për t’i kthyer mbrapa, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, për të penguar Kosovën të marrë qindra milionë donacione, për të prodhuar një Qeveri të varur tërësisht nga Beogradi, dhe që në fakt është një Qeveri e drejtuar nga Haradinaj dhe Gjuriq.

Të votosh me mend, do të thotë të votosh kundër atyre që kundërshtonin demarkacionin dhe Asociacionin, por që tash pranojnë se si njëra, si tjetra janë punë të kryera.

Të votosh me mend, do të thotë të mos votosh ata që lidhin transformimin e FSK-së në FA me Asociacionin, pasi që kjo është shumë e rrezikshme, sepse një FA e tillë dhe një Asocacion i tillë do të jenë katastrofë për Kosovën, ngaqë do të ketë një birgadë, apo de facto një FA paralele në kuadër të Asocacionit, ashtu siç do të ketë edhe një polici rajonale.

Të votosh me mend, do të thotë të mos votosh ata që kanë në zemër interesa dhe projekte sllavo-ortodokse dhe që bëjnë thirrje ksenofobe, ekstremiste fetare, kundërhebraike dhe që bëjnë thirrje kundër kancelares Merkel. dhe pro partisë apo partive pro-ruse.

Të votosh me zemër, do të thotë të votosh me dashurinë për vendin, me dashurinë për interesat kombëare, m dashiurinë për zhvillim ekonomik, me dashurinë për konsolidim të shtetit të Kosovës dhe për forcim të faktorit shqiptar në rajon.

Të votosh me zemër, do të thotë të votosh ata që me gjithë vështirësitë, kanë dëshmuar se kanë parasysh interesat e vendit, kanë parasysh konsolidimin e shtetit dhe të komunave.