Duka: Ndjesi fantastike të qenët të parët në grup

07.10.2016 22:40:31

Janë pikërisht ato, fitoret në dukje të vogla që në fund bëjnë diferencën kur bëhet bilanci përfundimtar dhe këtë Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit e di mirë. Pikërisht për këtë arsye fitorja 2-0 ndaj Lihtenshtejnit ka qenë një motiv i fortë kënaqësie për Armand Dukën që e shikon këtë sukses edhe në funksion të impenjimit të radhës me Spanjën.

“Jam shumë i kënaqur pasi morëm tri pikë përballë një kundërshtari që mund të prishë punë. Është një fitore e rëndësishme, dhe ndonëse nuk luajtëm ndonjë ndeshje kushedi se çfarë, ky sukses na jep moral për të përballuar Spanjën të dielën”.

Pasi ke fituar gjithçka duket më e thjeshtë, por Duka sjell në vëmendje edhe vështirësitë që paraqiste vigjilja e përballjes me Lihtenshtejnin.

“E përgatitëm këtë ndeshje sikur të luanim kundër ekipit më të fortë të botës. Jane skuadër që nuk luajnë në sulm zakonisht, pasi mbrohen ndaj e kemi të vështirë të marrim rezultat ndaj këtyre rivalëve. Ata nuk na shënonin dot edhe sikur loja të zgjaste 3 ditë, por mund të mos shënonim as ne dhe ndeshja të përfundonte barazim”.

Shqipëria “mbretëreshë” e grupit ku ndodhen dy skuadra që kanë fituar Botërorin, të paktën deri të dielën. Edhe për Dukën kjo është emocionuese.

“Është ndjesi e mrekullueshme të shohësh në renditje se qëndron sipër Spanjës apo Italisë. Dhjetëra miq më kanë dërguar në telefon foto nga klasifikimi i grupit. Mendoj se është një mrekulli që do ta jetojmë të paktën deri të dielën”.

Objektivi zyrtar i Shqipërisë në këto eliminatore është vendi i 3-të në grup, por a mund të besohet te një mrekulli më e madhe. Duka nuk pëlqen që t’i vërë kufij ëndrrave, në fund të fundit ato nuk kushtojnë nëse qëndron me këmbë në tokë.

“Djemve i kam thënë se mund të ëndërrojmë. Dëgjova Mavrajn që tha se mrekullia jonë kalon nga Lihtenshtejni. Natyrisht që nuk ka pse të mos ëndërrojmë dhe të besojmë te mrekullitë, edhe pse kjo nuk do të thotë se në fund do të kualifikohemi, por ne do t’i bëjmë hyzmetin deri në fund.”

Fitorja ndaj Lihtenshtejnit ka rezultuar dhurata më e mirë për Presidentin, i cili këtë të premte feston ditëlindjen e tij të 54, një dhuratë që Duka e ndan me gjithë shqiptarët.