Durrës, kapen 5 kg heroinë, në pranga një 24-vjeçar

17.02.2017 22:48:04

Një 24-vjeçar është kapur mbrëmjen e së premtes në portin detar të Durrësit, teksa u përpoq të kalonte kufirin me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të fshehur në trup.

I riu Berald Ismaili i vitlindjes 1993 me banim në Durrës do të imbarkohej në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, kur iu nënshtrua kontrollit fizik nga autoritetet policore të cilat kanë dyshuar në veshjen e tej fryrë të të arrestuarit.

Sipas burimeve policore, 24-vjeçari e kishte fshehur në pjesë të ndryshme të trupit, drogën e llojit heroinë të ndarë në 6 pako.

Ndonëse sasia që i është gjetur nuk është peshuar ende, paraprakisht deklarohet se droga e destinuar për trafikim në vendin fqinj, është afro 5 kilogram.