Dy artistë dhe hulumtimi i tingujve

17.04.2018 00:19:38

Gabriele Rendina Cattani dhe Ilir Luka vijnë me një ekspozitë të përbashkët më 21 prill në ambientet e Tirana Art Lab, pjesë e një bashkëpunimi mes këtij institucioni dhe Institutit Italian të Kulturës. E quajtur Double Feature # ekspozita kurohet nga Adela Demetja dhe fokusohet te praktikat audio-pamore e dy artistëve, të cilët, mbi të gjitha, mund të konsiderohen si kompozitorë të muzikës elektronike bashkëkohore. Për ata, puna me tingullin është një mënyrë hulumtimi midis kufijve të muzikës dhe imazhit, gjuhës, hapësirës dhe perceptimit.

Eksperimentale dhe herazi abstrakte, punët e tyre, të krijuara duke përdorur të dhëna nga kërkimet në terren dhe elemente të shkëputura nga realiteti, kanë për qëllim të sfidojnë dhe ndryshojnë kuptimin dhe perceptimin e realitetit të shikuesve.

Gabriele Rendina Cattani i lindur më 1990 në Romë, është një artist që përgjithësisht punon me kolona zanore: kompozime kompjuterike gjithëpërfshirëse të fokusuar mbi kufijtë dhe kufizimet e një medisi digjital dhe mënyrën e ndikimit të tyre mbi kujtesën dhe kuptimin e asaj ç’ka na rrethon. Cattani, ka studizar, nga 2011 deri në 2016, Kompozim Muzikor në Konservatorin e Santa Cecilia-s në Romë dhe në Institutin për Kërkime Muzikore Civica Scuola di Musica Claudio Abbado në Milano, Itali. Ai ka një Master të dyfisht në Art Pamor dhe Teori Muzike të Ecole National des Arts Decoratifs dhe E.H.E.S.S. Paris, Francë.

Kompozimet e tij dhe instalacionet audio-pamore site specific janë prezantuar midis të tjerash në institucione dhe hapësira kulturore si: Musée National des Arts Asiatiques Guimet Paris, Francë; Musée de Minéralogie de l’École des Mines Paris, Francë; Carreau du Temple Paris, Francë; Dôme FesAval #2, Montbazon, Francë; Auditorium Lattuada Milano, Itali; ART OR SOUND, Ca’ Corner della Regina, komisonuar nga Fondazioni Prada, Venicia, Itali; MACRO – Museum of Contemporary Art Romë, Itali; Auditorium Parco della Musica Romë, Itali. Gabriel Rendina Cattani është gjithashtu pjesë e shoqatës jo-fitimprurëse RepertorioZero.

Ilir Lluka i lindur më 1984 në Tiranë, është një artist audio-vizual dhe kompozitor i muzikës elektronike nga Tirana, aktiv në fushat e muzikës drone dhe eksperimentale. Teksa studimet akademike i ka zhvilluar jashtë fushave të artit (Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë në Tiranë), Lluka ka studiuar si autodidakt teknikat e dizajnit të tingullit dhe sintetizimit në një nivel akademik dhe praktik. Ai është gjithashtu autor i disa sintetizatorëve software, që tani janë të përdorur prej publikut.

Përveç albumeve/EPs, Iliri ka kompozuar gjithashtu muzikë për instalacione dhe kinemanë eksperimentale të cilat i ka performuar live në hapësira kulturore si: Muzeu Historik Kombëtar; International Sound Art Festivals Poesia Carnosa Romë, Itali; MainOFF Festival Palermo, Itali; Kinisi Festival Santorini, Greqi, etj. Punët e tij audio-pamore janë prezantuar në ekspozita ndërkombëtare si “Remembering in Form”, Galerie Heike Strelow Frankfurt/Main, Gjermani; “Çmimi Muslim Mulliqi 2016” Galeria Kombëtare e Kosovës; “Onufri XXII”, Galeria Kombëtare e Arteve; “Mediterranea 18: Young Artists Biennale“, Tiranë. Ilir Lluka është fitues i “Onufri XXII” 2016.