Dy fjalë për besën atyre që e mbajnë besën dhe atyre që për faqe të zezë nuk e mbajnë atë

29.05.2017 18:27:27
Nga Rexhep Kastrati
 
Besa është institucion moral i ndërlikuar dhe në vete ngërthen substratin paleontologjik të raportit të njeriut me njeriun, të njeriut me fuqi mbinatyrore që në mitologji është përshkruar si raport i njeriut me gjysëmperënditë dhe me perënditë. Në një formë më të avancuar është paraqitur në Bibël si beslidhje ndërmjet Mojsiut dhe hyut Jahvë, pra Zotit. Edhe në qytetërimin asiro-babilonas, përkatësisht në “Epin e Gilgameshit”, edhe te egjiptasit e vjtetër, përkatësisht në “Librin e të vdekurve egjiptianë”, edhe të vedat, upanishadat indase, edhe të budizmi, brahmanizmi dhe të konfucianizmi, laoceizmi, taoizmi etj., besa është paraqitur në forma dhe mënyra të ndryshme. Edhe te inkët, po ashtu. Në “Iliadën” dhe “Odisenë”, besa është përshkruar në plotninë e saj edhe në raportet e njeriut me njeriun. Te “Odisea”, Penelopa, gruaja e Odiseut kishte përballuar trysnitë e oborrtarëve për t’u martuar me ndonjërin prej tyre, pasi që thoshin se Odiseu kishte vdekur, ose ishte vrarë në luftë. Dhjetë vjet kishte mbajtur besën, kishte pritur Odiseun duke u thënë se sapo ta përfundojë një pullover, do të vendoste. Dhe ditën thurte, kurse natën shthurte. Edhe në islam, besa ka ato konotacione dhe dimensione kuptimore gati si në Bibël.
Në traditën shqiptare, besa është institucioni themelor moral edhe në kuptimin e raporteve ndërnjerëzore, edhe në raportin e njeriut me Zotin. Edhe pse në traditën tonë, besa ka një shtrirje të gjerë, duhet të kujtojmë besën që Konstantini i kishte dhënë nënës dhe motrës Doruntnës (Gerantinës) se edhe i vdekur so ngrihej nga varri dhe do shkonte ta merrte, veç ta martonte larg. po ashtu, edhe Ago Ymeri, i zënë rob në Spanjë ku mbahej i burgosur, ia kishte dhënë besën vajzës së mbretit spanjoll se do të kthehej nëse e lejonte që të shkonte në dheun e tij ku kishte nënën dhe gruan, të cilës i kish thënë se nëse nuk kthehej brenda 9 vitesh, 9 muajsh, 9 javësh, 9 ditësh, të martohej me dikë tjetër. Dhe nëse nuk shkonte, gruaja mund t’i martohej. Vajza e mbretit i besoi dhe e lejoi. Ago Ymeri shkoi, takoi nënën dhe gruan e u kthye. Kur u kthye, mbreti e liroi vetëm se kishte mbajtur besën. Kurse në të drejtën zakonore, te ne është kodifikuar në “Kanunin e Lekë Dukagjinit” etj., ku edhe janë dhënë edhe asat ndëshkimore nëse prishej. Sipas “Kanunit…”, vrasësi dhe familja e tij duhej t’i kërkonin besë familjes së të vrarit për të lëvizur apo edhe për të punuar dhe gjallnuar. Në “Kanun..” është sanksionuar edhe beja si një formë e besës, sipas të cilës 12 apo 24 pleq që i zgjidhte pala e dëmtuar, e jo siç po bën Hashimi, apo Gani Geci me vëllezër që po i bëjnë madje edhe nga 124 pleq dhe po bëjnë be se kanë dorë apo jo në ndonjë vrasje.
Besa, ndërkaq, në kuptimin e fjalës së dhënë, e një premtimi që do të mbahet, është përdorur edhe në fushata zgjedhore, kur besë po japin edhe ata që janë dëshmuar se mbajnë fjalën, e ehe ata që kanë prerë në besë. Në të vërtetë, ata që janë dëshmuar se mbajnë fjalën, mbajnë premtimet, shumë më pak përdorin fjalën besë, kurse më shumë po e përdorin ata që nuk e kanë mbajtur atë. Është për keqardhje kur për besë flasin disa që kanë vrarë në besë që kanë tradhtuar në besë, që kanë keqpërdorë besimin e të tjerëve për të bërë pazare të fshehta apo të hapura në dëm të të të tjerëve dhe në dëm të vendit. Kështu një institucion moral kaq i lashtë, kaq i shtresëzuar në personalitetin kolektiv të shqiptarëve, po devalvohet nga individë që mund të kenë gjithçka, por vetëm besë jo.